MPB do të sigurojë qarkullim të pandërprerë për automjetet e udhëtarëve dhe autobusëve

Ministria e Punëve të Brendshme – Departamenti për Çështje Kufitare dhe Migrim informon opinionin se në Ministrinë e Punëve të Brendshme është dorëzuar njoftimi për mbajtjen e një proteste publike nga shoqata “Makam-trans”, e cila është paraparë të fillojë më 26.01.2026 në orën 12:00. Sipas njoftimit të dorëzuar, protesta është planifikuar të realizohet në pikat kufitare si në vijim: Deve Bair, Dellçevë, Novo Sellë, Dojran, Bogorodicë, Mexhitli, Qafë Thanë, Bllacë dhe Bllatë.

Protesta do të manifestohet me kufizimin e qarkullimit për mjetet transportuese motorike, përkatësisht me mbylljen e korsive dhe terminaleve të destinuara për qarkullim mallrash, ndërsa qarkullimi i udhëtarëve do të zhvillohet pa ndërprerje në të gjitha pikat kufitare. Sipas njoftimit të organizatorit, protesta është planifikuar të zgjasë deri në shtatë ditë, me mundësi që të ndërpritet edhe më herët, nëse ndërkohë tejkalohen arsyet për të cilat është organizuar.

Ministria e Punëve të Brendshme, në përputhje me kompetencat e saj ligjore, do të ndërmarrë masa dhe veprime përkatëse për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për sigurimin e qarkullimit të sigurt dhe të pandërprerë, me theks të veçantë në lëvizjen e automjeteve të udhëtarëve, autobusëve dhe automjeteve që transportojnë ilaçe, bagëti, materie të rrezikshme dhe dërgesa të tjera me prioritet.

MPB u bën apel qytetarëve dhe transportuesve që të informohen në kohë për gjendjen në pikat kufitare, të ndjekin komunikimin zyrtar dhe, nëse është e nevojshme, të përdorin pika alternative kufitare.