Ministri i Jashtëm kinez paraqet propozime për të thelluar më tej miqësinë Kinë-Afrikë

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua të premten në Dar-es-Salam me ministrin tanzanian të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit të Afrikës Lindore Mahmoud Thabit Kombo, duke bërë thirrje për forcimin e mëtejshëm të miqësisë Kinë-Afrikë.

Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, tha se Kina dhe Tanzania kanë një miqësi tradicionale të gjatë dhe të qëndrueshme.

Presidenti kinez Xi Jinping zgjodhi Tanzaninë si një nga destinacionet e vizitës së tij të parë në Afrikë në vitin 2013, ku ai paraqiti parimet e sinqeritetit, rezultateve reale, miqësisë dhe mirëbesimit në politikën e Kinës lidhur me Afrikën, duke shënuar një moment të ri historik në historinë e marrëdhënieve Kinë-Afrikë, tha Wang gjatë një konference të përbashkët shtypi me Kombon.

foto nga MPJ

Vizita e këtij viti vazhdon traditën e ministrave të jashtëm të Kinës, që e bëjnë Afrikën destinacionin e vizitës së tyre të parë jashtë vendit në fillim të vitit për 36 vjet rresht, një praktikë që Kina do të vazhdojë ta mbështesë dhe ta çojë përpara, tha ai.

Bashkëpunimi Kinë-Afrikë, vuri në dukje kryediplomati kinez, është një përbërës i rëndësishëm i bashkëpunimit Jug-Jug, me një vrull të fortë të brendshëm dhe perspektiva të shkëlqyera zhvillimi.

Ministri i Jashtëm kinez e përmblodhi miqësinë dhe besimin e ndërsjellë Kinë-Afrikë në tre aspekte kryesore.

Së pari, mbështetja e përbashkët e drejtësisë. Kina dhe Afrika dikur qëndruan krah për krah në luftën kundër imperializmit e kolonializmit, në luftën për çlirimin kombëtar dhe në ndjekjen e zhvillimit dhe rigjallërimit, tha ai.

Sot të dy palët vazhdojnë ta përkrahin fort njëra-tjetrën në çështjet që përfshijnë interesat e tyre kryesorë, të mbrojnë interesat e përbashkët të Jugut Global, të mbështesin të drejtat e interesat legjitime të vendeve në zhvillim dhe të veprojnë si një forcë stabilizuese në një botë që po përjeton turbullira e ndryshime, shtoi ai.

Kina e mbështet Tanzaninë në mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë dhe interesave të zhvillimit, e përkrah popullin e Tanzanisë në ndjekjen e një rruge zhvillimi të përshtatshme për kushtet e veta kombëtare dhe kundërshton çdo ndërhyrje të huaj në punët e brendshme të Tanzanisë me çfarëdo preteksti, vuri në dukje ai.

Së dyti, ndjekja e përbashkët e progresit. Presidenti kinez Xi Jinping ka propozuar që Kina dhe Afrika të punojnë së bashku për të çuar përpara modernizimin e karakterizuar nga gjashtë tipare dhe për të ndërtuar një bashkësi me një të ardhme të përbashkët në të gjitha rrethanat Kinë-Afrikë për epokën e re, duke ofruar drejtimin për bashkëpunimin Jug-Jug, tha Wang.

Marrëdhëniet Kinë-Tanzani, shtoi ai, kanë shkuar përtej sferës dypalëshe dhe janë në përputhje me prirjen historike të ngritjes kolektive të Jugut Global.

Së treti, përpjekja së bashku për arritjen e përfitimeve të ndërsjella. Ndjekja e përbashkët e modernizimit midis Kinës dhe Afrikës bazohet në bashkëpunimin me përfitim të ndërsjellë, u shpreh Wang.

Kina është e gatshme të përafrojë më tej strategjitë e zhvillimit me vendet afrikane, të promovojë zbatimin më të shpejtë dhe më të gjerë të rezultateve të Samitit të Pekinit të Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë në Afrikë dhe të thellojë bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë në fusha të tilla si bujqësia, minierat e prodhimi, duke ecur krah për krah në rrugën drejt modernizimit, tha ai.

Wang kujtoi se dy muaj më parë, nën drejtimin e udhëheqësve të Kinës, Tanzanisë dhe Zambias, nisi zyrtarisht projekti i rigjallërimit të Hekurudhës Tanzani-Zambia.

Kina është e gatshme të punojë me Tanzaninë për të çuar përpara rigjallërimin e hekurudhës, për të ndërtuar së bashku një brez prosperiteti përgjatë hekurudhës, duke e shndërruar atë në një motor të ri për zhvillimin e Tanzanisë dhe duke e pasuruar e thelluar vazhdimisht partneritetin strategjik të bashkëpunimit gjithëpërfshirës Kinë-Tanzani.