Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, në brifingun e sotëm njoftoi se lufta kundër ndotjes së ajrit do të zhvillohet përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse, që përfshin kontrollin e ndotjes nga industria, institucionet dhe amvisëritë, si dhe bashkëpunimin ndërinstitucional lidhur me trafikun, me zero tolerancë ndaj ndotësve.
Ai informoi se Ministria ka një plan veprimi afatshkurtër dhe një program afatgjatë të miratuar nga Qeveria, si dhe Ligjin e ri për Kontrollin e Emetimeve, të miratuar në shtator 2025, i cili hyn në fuqi në shtator 2027.
“Ligji parashikon rregulla shumë më të rrepta për lëshimin dhe mbikëqyrjen e lejeve ekologjike të kategorisë A dhe B, detyrimin e industrisë për përdorimin e teknologjisë më të mirë të disponueshme, si dhe përgjegjësi financiare në rast të shkeljeve. Ky ligj është plotësisht i harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian dhe është miratuar përmes një procesi gjithëpërfshirës me debat publik, ku morën pjesë shoqëria civile, Odat Ekonomike, fakultetet dhe palë të tjera relevante”, tha Ministri Hoxha para gazetarëve.
Hoxha njoftoi se nga java e ardhshme do të fillojnë takime me përfaqësuesit e industrive që posedojnë leje ekologjike të kategorisë A, me qëllim që periudha e adaptimit të shfrytëzohet në mënyrën më efektive. Të gjitha lejet e reja ekologjike do të lëshohen sipas standardeve të reja më rigoroze, me kushte më të rrepta dhe pragje më të ulëta të emetimeve, veçanërisht për kapacitetet industriale të vendosura në zonat urbane.
Brenda kuadrit të këtyre masave, parashikohet forcimi i kapaciteteve laboratorike të Ministrisë përmes akreditimit të metodave të reja për kontrolle të pavarura ndaj industrisë, vendosja e ekranëve publikë që do të shfaqin vlerat mesatare të emetimeve të objektit, si dhe zbatimi i parimit “NDOTËSI PAGUAN”, sipas të cilit industria do të mbulojë shpenzimet për largimin e rrezikut, sanimin dhe kompensimin e drejtë për dëmin e shkaktuar në mjedis.
Ministri Hoxha theksoi se me këto masa po ndryshohet në mënyrë sistemore qasja e Ministrisë ndaj kontrollit të kapaciteteve industriale lidhur me ndotjen e ajrit, duke vendosur mekanizma të forta kontrolli dhe përgjegjësie.