Ministri grek: Qeveria nuk do të lejojë më mbylljen e pikave kufitare, ekonomia po pëson dëme të mëdha
Ministri grek për Mbrojtjen e Qytetarëve, Mihalis Hrisohidis, ka dhënë një paralajmërim të qartë se Qeveria nuk do të lejojë më bllokimin e shërbimeve doganore në pikat kufitare. Në një deklaratë për mediat greke, ai theksoi se bllokadat e fermerëve po shkaktojnë pasoja serioze për ekonominë shtetërore.
Hrisohidis tha se shteti ka treguar tolerancë të madhe gjatë 40 ditëve të fundit, por se situata me qindra mijëra tonë produkte që nuk mund të kalojnë kufirin është e paqëndrueshme.
“Nuk ka asnjë shans që një shërbim doganor të mbyllet sërish dhe këtë e theksoj qartë. Këto janë hyrjet e vendit, kemi probleme të mëdha, shtetet e tjera të Bashkimit Evropian po na denoncojnë, por mbi të gjitha po pengohet funksionimi i ekonomisë, po bllokohet puna e bizneseve që kanë nevojë për furnizim me produkte, lëndë të para, karburant e të ngjashme. Kjo nuk mund të vazhdojë. Dëmshpërblimet që do të kërkohen do të jenë enorme”, deklaroi Hrisohidis.
Protestat e fermerëve në Greqi kanë nisur në fund të nëntorit dhe kanë përfshirë pikat kufitare me Maqedoninë, Bullgarinë dhe Turqinë. Megjithëse traktorët vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë, fermerët tashmë kanë formuar një delegacion që pritet të takohet me kryeministrin Kiriakos Mitsotakis, për të gjetur një zgjidhje për kërkesat e tyre.