Mickoski: Projekti “Treni i qytetit” do të ndërtohet në tri faza – pritet ulje drastike e përdorimit të automjeteve
Kryeministri Hristijan Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjen gazetareske lidhur me progresin e projektit “Treni i qytetit”, deklaroi se projekti është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe se faza e parë tashmë ka filluar.
“Treni i qytetit është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendbanimet periferike dhe komunat deri në qendrën e kryeqytetit. Do të realizohet në tri faza. Faza e parë tashmë ka filluar – bëhet fjalë për rikonstruktimin e hekurudhës dhe elektrifikimin, ku do të qarkullojë lokomotivë elektrike, tren elektrik, dhe vlera e projektit është 360 milionë denarë”, u përgjigj kryeministri Mickoski.
Kryeministri theksoi se me tri segmentet e projektit pritet të ulet ndjeshëm përdorimi i automjeteve motorike për pasagjerë.
“Segmenti i parë është nga Zelenikova përmes Draçevës, Lisiçes, Kisella Vodës, Aerodromit, praktikisht deri në qendrën e Shkupit, te stacioni kryesor hekurudhor. Segmenti i dytë është nga Milladinovci–Ilinden e deri në vendbanimin Maxhari, deri te stacioni qendror hekurudhor, ndërsa segmenti i tretë është nga ai stacion qendror hekurudhor përmes Shkup Veri, Gjorçe deri në Vollkovë.
Përafërsisht ky do të jetë itienerari dhe vlerësojmë se në këtë mënyrë do të lehtësohet trafiku në Shkup. Një numër i madh i banorëve të komunave rreth Shkupit dhe komunave periferike do të mund t’i shfrytëzojnë këto linja; ato do të jenë vërtet të shpejta dhe komode dhe unë pres që përdorimi i automjeteve motorike për pasagjerë të ulet në mënyrë dramatike, ndërsa më shumë të përdoret ky Tren qyteti si projekt”, tha kryeministri.
