Mickoski: Ka filluar procedura dhe është siguruar financimi për 150 autobusë elektrikë – me hapa konkretë po punojmë në uljen e ndotjes së ajrit

Kryеtari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme të Kuvendit për pyetje të deputetëve theksoi se janë siguruar mjete për blerjen e 150 autobusëve elektrikë për Shkupin dhe komunat me transport publik të organizuar, dhe me këtë, veçanërisht për Shkupin, së bashku me projektet e tjera si Treni i Qytetit, BRT dhe kogjenerimi, ndotja e ajrit do të ulet ndjeshëm.

– Ajo që ne si qeveri mund ta bëjmë është të sigurojmë transport për komunat, aty ku ka transport të organizuar, i cili do të jetë ekologjik. Dhe pikërisht ky është qëllimi i blerjes së këtyre 150 autobusëve ekologjikë që funksionojnë me energji elektrike, duke përdorur ekskluzivisht furnizim energjetik që nuk ka ndikim të dëmshëm për mjedisin jetësor. Procedura ka filluar tashmë, mjetet do t’i sigurojmë përmes bashkëpunimit strategjik qeveri me qeveri me Hungarinë, pjesën më të madhe, ndërsa një pjesë më e vogël do të sigurohet nga buxheti, nën kushte të njëjta si marrëveshja e parë për huamarrje me Hungarinë, theksoi kryeministri Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Biljana Kuzmanovska.

Kryeministri Mickoski sqaroi se këta 150 autobusë do të shpërndahen në të gjitha komunat ku ka transport publik urban të organizuar, përkatësisht Qyteti i Shkupit do të marrë 100 autobusë, ndërsa komunat e tjera do të marrin 50 autobusë.

– Konkretisht në Shkup, në drejtim të uljes së ndotjes së ajrit, do ta përmend edhe Trenite Qytetit, segmenti i parë i të cilit tashmë po ndërtohet, ndërsa më pas do të pasojnë i dyti dhe i treti. Pres që së bashku me sistemin BRT dhe projektet e reja në fushën e gazifikimit, përkatësisht kogjenerimit, me prodhim të energjisë elektrike dhe nxehtësisë, në periudhën në vijim ndotja e ajrit të ulet ndjeshëm. Këto janë hapa konkretë, i kemi identifikuar pikat dhe po punojmë, por do të duhet kohë. Procesi ka filluar, financimi është siguruar nën kushte të njëjta si huaja e mëparshme: tre vite grejs periudhë, normë interesi prej 3,25% dhe afat shlyerjeje deri në 15 vite, në kuadër të partneritetit strategjik me qeverinë hungareze. Pason procedura dhe furnizimi me këta 150 autobusë dhe shpërndarja e tyre, theksoi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski gjithashtu theksoi se shpenzimet operative do të ulen ndjeshëm, efekti është shumëdimensional, pozitiv për ndotjen e ajrit, përkatësisht ajo nuk do të ekzistojë, por gjithashtu pozitiv do të jetë edhe në aspektin e mirëmbajtjes së tyre.