Memorial për viktimat nga zjarri në “Pulse”, reagojnë prindërit: Nuk është dëshirë private, por akt i kujtesës kolektive

Shoqata e qytetarëve “16 Mars 2025” – Koçan, e themeluar nga prindërit dhe familjarët e fëmijëve që humbën jetën tragjikisht në zjarrin në diskotekën “Pulse”, ka reaguar publikisht ndaj peticionit që ditët e fundit po promovohet në rrjetet sociale dhe në një pjesë të mediave, i cili ka të bëjë me lokacionin e propozuar për vendosjen e memorialit në kryqëzimin e rrugëve “Vëllezërit Stavrev” dhe “Bregu i Revolucionit”.

Nga Shoqata theksojnë se kanë obligim të sqarojnë disa fakte kyçe që, sipas tyre, janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me mesazhet që përcillen në peticionin e nënshkruar nga 17 qytetarë.

Së pari, ata nënvizojnë se bëhet fjalë për hapësirë publike të gjelbër – park në pronësi shtetërore, i dedikuar për të gjithë qytetarët e Koçanit, dhe jo për pronë private apo “oborr të dikujt”, siç përpiqet të paraqitet në disa reagime publike.

Sipas tyre, një paraqitje e tillë krijon perceptim të gabuar dhe manipulues.
Së dyti, prindërit theksojnë se vendosja e memorialit nuk e ndryshon destinimin e hapësirës. Shenja përkujtimore, siç thonë ata, nuk do të jetë ndërtim masiv apo objekt me funksion të ri, por një simbol diskret dhe dinjitoz kujtese, i ngjashëm me memorialet që ekzistojnë në shumë qytete të botës.

Së treti, ata hedhin poshtë pretendimet se memoriali do të jetë vend për vajtim të përditshëm.

“Dhimbja jonë është në shtëpitë tona dhe në vendet e përjetshme të pushimit të fëmijëve tanë”, thuhet në reagimin e shoqatës, duke shtuar se memoriali është paraparë si vend për nderim të qetë dhe kujtim kolektiv, e jo si kërcënim për qetësinë apo rendin publik.
Sa i përket vetë peticionit, nga Shoqata rikujtojnë se ai nuk ka peshë juridike në procesin vendimmarrës. Debati publik është legjitim dhe i mirëpritur, por vendimin përfundimtar për lokacionin, në përputhje me procedurat ligjore, e merr Këshilli i Komunës së Koçanit. Sipas tyre, presioni mediatik dhe fushatat e njëanshme nuk mund të zëvendësojnë vendimmarrjen institucionale.

Prindërit theksojnë gjithashtu se të drejtat e banorëve nuk janë ekskluzive.

“Të gjithë jemi banorë të Koçanit – ata që reagojnë, ne dhe fëmijët tanë që i humbëm tragjikisht”, thuhet në reagim, duke vlerësuar se kushtëzimet dhe akuzat për arbitraritet janë të papërshtatshme.
Ata shtojnë se, nëse shumica e qytetarëve të Koçanit vlerëson se lokacioni i propozuar nuk është i përshtatshëm, do ta respektojnë atë vullnet, por njëkohësisht shtrojnë pyetjen nëse fëmijët e humbur meritojnë një memorial të përhershëm në një vend të dukshëm dhe të qasshëm, apo duhet të shtyhen në periferi – si në hapësirë, ashtu edhe në kujtesë.

Sipas Shoqatës, iniciativa për memorialin nuk është dëshirë private, por çështje me interes publik dhe akt i kujtesës kolektive për një tragjedi që shënoi të gjithë qytetin dhe shtetin. Ata e vlerësojnë si shqetësuese faktin që peticioni paraqitet si “zëri i qytetarëve”, ndonëse pas tij qëndron një numër i kufizuar individësh, gjë që, sipas tyre, e thellon edhe më shumë dhimbjen e familjeve.

“Kjo nuk është çështje komoditeti apo zakoni, por çështje dinjiteti, kujtese dhe ndërgjegjeje”, porosit Shoqata, duke u bërë thirrje mediave të informojnë me përgjegjësi dhe publikut të mos lejojë që dhimbja e familjeve të shfrytëzohet për sensacionalizëm apo presione.

Qytetarët e Koçanit mund të shprehin qëndrimin e tyre lidhur me iniciativën për vendosjen e memorialit përmes mjetit digjital të komunikimit “mZaednica”, ku është aktive një anketë për këtë çështje.