Mediat amerikane: Trump do ta sulmojë Iranin të dielën në mëngjes

Ndërsa SHBA-ja po forcon praninë e saj ushtarake në Lindjen e Mesme në kontekstin e një sulmi të mundshëm ndaj Iranit, presidenti Donald Trump po vazhdon me kërcënimet ndaj Teheranit, ndërsa mediat amerikane publikojnë pretendime për plane të një aksioni ushtarak kundër Iranit.

Sipas këtyre raportimeve, Trump mund të japë urdhër për sulm ndaj Iranit që të dielën në mëngjes, ndërsa administrata amerikane thuhet se ka informuar për këtë një aleat rajonal. Qëllimi kryesor i një veprimi të tillë do të ishte ndryshimi i regjimit në Iran, duke përfshirë sulme të mundshme ndaj objekteve bërthamore, raketave balistike dhe bazave ushtarake.

Trump, gjatë nënshkrimit të një dekreti presidencial në Shtëpinë e Bardhë, foli për situatën aktuale me Iranin, duke theksuar se SHBA po dërgon “një numër të madh anijesh” drejt rajonit dhe duke shprehur shpresën për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin. Ai deklaroi: “Nëse nuk mund të arrijmë një marrëveshje, do të shohim se çfarë do të ndodhë.” Trump shtoi se flota amerikane që po lëviz drejt Iranit është më e madhe se ajo që ishte dërguar më parë drejt Karaibeve në lidhje me Venezuelën.

I pyetur nëse po vendos një afat për marrëveshje me Iranin, Trump u përgjigj se “këtë e di vetëm Irani”, duke theksuar se Teherani po e ndjek nga afër procesin negociues, ndërkohë që SHBA vazhdon me presionet.

Pas këtyre deklaratave, mediat amerikane raportuan se Irani nuk i ka pranuar kushtet e vendosura nga SHBA-ja, çka – sipas këtyre burimeve – ka çuar në një përshkallëzim të ri të tensioneve. Po ashtu thuhet se administrata ka njoftuar një aleat rajonal që të jetë i përgatitur në rast sulmi.

Më 28 janar, Trump shkroi në rrjetin social Truth Social se drejt Iranit po lëviz një “armadë” e madhe amerikane – një flotë e fuqishme anijesh luftarake – dhe i bëri thirrje qeverisë iraniane të arrijë një marrëveshje, duke paralajmëruar se në të kundërtën mund të pasojë një “sulm edhe më i keq”. Ai theksoi se kjo flotë është më e madhe se ajo e dërguar drejt Venezuelës, e udhëhequr nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln.

Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi më 26 janar se grupi i forcave goditëse të aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln është dislokuar në Lindjen e Mesme për të “mbështetur sigurinë dhe stabilitetin rajonal”.

Ndërkohë, numri i ushtarëve amerikanë në rajon është rritur në gati 50.000, pasi shkatërruesi luftarak USS Delbert D. Black hyri në portin Eilat në Detin Mesdhe, duke rritur më tej praninë e forcave amerikane.

Si pasojë e këtyre veprimeve, tensionet janë rritur edhe në Iran, ku autoritetet kanë paralajmëruar se çdo sulm nga SHBA-ja do të trajtohej si luftë totale kundër vendit.(INA)