Sipas informacioneve që ka siguruar Alsat, mbi 40 punonjës të angazhuar në Spitalin e Posaçëm për Gjinekologji dhe Obstetrikë “Nënë Tereza” në Çair kanë mbetur pa kontrata pune pas përfundimit të vitit kalendarik, çka ka ngritur shqetësime për vazhdimin e punës së tyre dhe funksionimin e institucionit. Burime nga spitali kanë bërë të ditur për Alsat se për këta punonjës janë dërguar kërkesa zyrtare pranë institucioneve kompetente për vazhdimin e angazhimit të tyre, duke theksuar se spitali ka nevojë reale për këtë staf dhe se mungesa e tyre ndikon drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, por përgjigje ende nuk ka.
Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë, në përgjigjen për Alsat, sqaron se në këtë rast nuk bëhet fjalë për ndërprerje të marrëdhënies së punës apo largim nga puna, por për skadimin e kontratave në vepër, të cilat kanë pasur vlefshmëri deri më 31.12.2025, në përputhje me vitin e kaluar buxhetor. Kërkesat për vazhdimin e tyre për vitin 2026 tashmë janë dorëzuar nga Institucionet Publike Shëndetësore përmes Fondit të Sigurimit Shëndetësor në Ministrinë e Financave, nga e cila pritet dhënia e pëlqimit.
“Sapo të arrijë pëlqimi nga Ministria e Financave, kontratat do të vazhdojnë, përfshirë edhe për 40 personat e angazhuar në Spitalin për Gjinekologji dhe Obstetrikë ‘Nënë Tereza’ – Çair. Njëkohësisht rikujtojmë se procedura është e kushtëzuar nga dinamika e miratimit të buxhetit për vitin 2026 dhe se Ministria e Shëndetësisë, në koordinim me Fondin e Sigurimit Shëndetësor dhe Ministrinë e Financave, po punon që ky proces të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndërkohë Alsat mëson se, me situatë të ngjashme përballen edhe institucione të tjera shëndetësore në vend. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë thekson se numri i saktë i të prekurve në nivel shtetëror do të bëhet i ditur pasi të kompletohen të dhënat dhe të përmbyllet procesi i dhënies së pëlqimeve. /Alsat.mk
