Një ndërprerje e madhe e energjisë elektrike ka prekur sot jugperëndimin e Berlinit, duke lënë pa drita rreth 50 mijë familje dhe 2 mijë biznese.
Shkak u bë një zjarr në një lidhje kabllore të rrjetit elektrik, bëri të ditur ofruesi i energjisë, Stromnetz Berlin.
Sipas autoriteteve, policia ka nisur hetimet për të zbuluar nëse zjarri ishte i qëllimshëm, pasi një sulm i dyshuar politikisht kishte shkaktuar një ndërprerje të ngjashme në një pjesë tjetër të kryeqytetit gjerman në muajin shtator.
Stromnetz Berlin tha se dëmet në kabllo janë të mëdha dhe se riparimi do të marrë kohë, ndërsa ekipet po punojnë për të siguruar furnizim të përkohshëm me energji.
Autoritetet shpresojnë që energjia të rikthehet plotësisht deri të enjten pasdite.
Puna e riparimit po vështirësohet edhe nga kushtet e motit të ftohtë, ndërsa alarmi për zjarrin u dha pak pas orës 06:00 të mëngjesit.
Shërbimet e emergjencës njoftuan se ndër objektet që kishin nevojë për ndihmë ishte edhe një shtëpi për të moshuarit.
Ndërprerja e energjisë ndikoi rëndë në ndriçimin e rrugëve, rrjetet e telefonisë celulare, semaforët, frigoriferët e supermarketeve dhe banesat private.
Si pasojë, sistemet e ngrohjes u ndalën, ndërkohë që temperaturat ishin pranë pikës së ngrirjes, duke shtuar shqetësimin për banorët.
