LSDM: Qeveria gjen para për tenderë, por jo për 600 euro pagë minimale

LSDM ka dorëzuar në Parlament Projektligjin për rritjen e pagës minimale në 600 euro, duke e cilësuar këtë masë si reale, të domosdoshme dhe urgjente për mbrojtjen e standardit jetësor të punëtorëve, në përputhje me kërkesat e sindikatave dhe kushtet aktuale ekonomike në vend.

Nga partia opozitare vlerësojnë se ligji është përgjigje direkte ndaj përkeqësimit të ndjeshëm të jetesës gjatë vitit e gjysmë të fundit, periudhë gjatë së cilës inflacioni dhe rritja e çmimeve të ushqimit, energjisë elektrike, ngrohjes dhe shërbimeve bazë kanë ulur ndjeshëm fuqinë blerëse të qytetarëve, veçanërisht të atyre që jetojnë me pagë minimale. Sipas LSDM-së, për mijëra familje paga minimale është burimi i vetëm ose kryesor i të ardhurave, ndaj shteti ka për obligim të sigurojë mjete për rritjen e saj në 600 euro. “Nuk mund të ketë para për tenderë kriminalë, e njëkohësisht të pretendohet se nuk ka mjete për punëtorët”, thuhet në reagimin e LSDM-së, ku përmenden edhe një sërë shembujsh të prokurimeve publike dhe kontratave që, sipas tyre, ngrejnë dyshime serioze për keqpërdorime.

Në kumtesën e partisë theksohet se qytetarët çdo ditë dëgjojnë për qindra tenderë të ndarë për firma të caktuara, shuma milionëshe për kompani me numër minimal të të punësuarve, si dhe kontrata të lidhura me kompani të afërta me koalicionin qeverisës VMRO-DPMNE – ZNAM. “Ky është zgjedhja e pushtetit – skema tenderësh në vend të punëtorëve”, thonë nga LSDM, duke shtuar se ndërkohë që të rinjtë po largohen masivisht nga vendi, Qeveria po importon fuqi punëtore të huaj me arsyetimin e mungesës së kuadrit vendas.

Projektligji për rritjen e pagës minimale tashmë është dorëzuar në Kuvend, ndërsa nga LSDM theksojnë se tani do të shihet qartë se cili subjekt politik qëndron në anën e punëtorëve dhe pagës minimale prej 600 eurosh, e cili, sipas tyre, mbron interesat e tenderëve dhe keqpërdorimeve.