Lladrovci viziton Xhaminë Al Aksa në Jerusalem, lutet kundër hajnave të votës: Jo vetëm ligji por Zoti i dënon
Kryetari i Drenasit ka bërë të ditur se gjatë vizitës së tij në Jerusalem ka vizituar edhe Xhaminë Al-Aksa, të cilën e cilësoi si një vend me simbolikë të thellë fetare, historike, politike dhe identitare, si dhe një nga vendet më të ndjeshme dhe më të rëndësishme në botë.
Ai rikujtoi se pas Mekës dhe Medinës, Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë i fesë islame dhe ishte Kibla e parë e myslimanëve.
Sipas tij, gjatë qëndrimit në këtë vend të shenjtë është lutur për ndaljen e armiqësive, luftërave dhe padrejtësive, si dhe për mirëqenien e popullit të Kosovës.
Po ashtu, ai theksoi se është lutur edhe për, siç u shpreh, ata që “kanë humbur rrugën e Zotit”, duke përmendur në veçanti ata që shpifin, bëjnë punë të këqija dhe “vjedhin votën”, duke shtuar se veprime të tilla dënohen si nga Zoti, ashtu edhe nga ligji.
“Gjatë vizitës në Jerusalem, vizitova Xhaminë Al Aksa e cila ka simbolikë fetare e historike, politike dhe identitare dhe është një nga vendet më të ndjeshme dhe më të rëndësishme në botë. Pas Mekës dhe Medinës, Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë i fesë islame dhe ishte Kibla e parë e myslimanëve.
Këtu, në mes tjerash u luta që të ndalet armiqësia mes njerëzve dhe popujve, të ndalen luftërat dhe padrejtësitë. Në veçanti u luta për popullin tonë i cili pati fatin të ketë prijës të denjë që e ruajnë popullin e vet me miq të vërtetë kur na kanosej zhdukja.
U luta në veçanti për të gjithë ata njerëz që e kanë humbur rrugën e zotit duke shpifur e duke bërë punë të këqija, të mos i bëjnë më, po ashtu, u luta për ata që i japin zor me ligjërata koti dhe hajnat e votës, të mos e bëjnë më, sepse, jo vetëm Zoti, por edhe ligji i dënon!”, ka shkruar Lladrovci.