Limani: Mbështetje direkte për të rinjtë – 60 mijë denarë për çdo start-up në Gostivar

Kandidati për kryetar komune nga Aleanca Kombëtare për Integrim në Gostivar, Valbon Limani, prezantoi një masë konkrete për mbështetjen e të rinjve, duke paralajmëruar financim direkt për nisma të reja rinore.

“Për çdo të ri dhe të re deri në moshën 30 vjeç, Komuna e Gostivarit do të ndajë nga 60.000 denarë për start-up-e. Çdo vit do të mbështesim 30 ide të reja, sepse rinia është motori i zhvillimit,” deklaroi Limani.

Limani nënvizoi që kjo masë do të zbatohet menjëherë pas marrjes së mandatit dhe synon të mbajë të rinjtë në vend duke investuar në idetë dhe potencialin e tyre.

30 gra çdo vit përfitojnë 60 mijë denarë – Limani prezanton masën për fuqizim ekonomik

Fuqizimi ekonomik i grave ishte një nga pikat kyçe të konferencës për media të kandidatit Valbon Limani në Gostivar.

“Zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të arrihet pa gratë. Çdo vit, 30 vajza dhe gra do të përfitojnë nga 60.000 denarë për nisma biznesi,” theksoi Limani.

Valbon Limani shtoi se kjo masë synon barazi reale dhe pavarësi ekonomike për gratë, jo projekte formale pa efekt praktik.

Mirënjohje për gjyshërit: 30 mijë denarë në vit për ata që kujdesen për nipërit

Një nga masat me theks social të prezantuara nga Valbon Limani ka të bëjë me mbështetjen e gjyshërve pensionistë që kujdesen për nipërit dhe mbesat e tyre.

“Sot, kur të dy prindërit janë në punë, gjyshërit mbajnë barrën kryesore të kujdesit për fëmijët. Ata meritojnë respekt dhe mbështetje konkrete,” u shpreh Limani.

Sipas planit, gjyshërit që përmbushin kriteret do të përfitojnë nga 30.000 denarë në vit nga Komuna e Gostivarit, si shenjë mirënjohjeje institucionale.

“Ambasadorët e Sigurisë” – plani i Limanit për shkolla pa bullizëm

Siguria në shkolla dhe lufta kundër bullizmit janë pjesë e programit të kandidatit të AKI-së për Gostivarin.

“Do të krijojmë programin ‘Ambasadorët e Sigurisë dhe Respektit’ në çdo shkollë, sepse nxënësit ndikojnë më shumë tek njëri-tjetri sesa të rriturit,” deklaroi Limani.

Z. Limani theksoi se përzgjedhja e nxënësve do të bëhet në bashkëpunim me mësuesit dhe psikologët, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurt dhe solidar në shkolla.

Limani: Mbështetja për fëmijët e porsalindur vazhdon edhe sivjet

Në hapje të konferencës për media, Valbon Limani rikujtoi një vendim të zbatuar me sukses nga Komuna e Gostivarit vitin e kaluar.

“Vendimi për ndarjen e 100 eurove për çdo familje me fëmijë të porsalindur dëshmoi se kur ka vullnet politik, ka edhe zbatim real. Këtë masë do ta vazhdojmë edhe sivjet,” tha Limani.

Limani theksoi se mbështetja për familjen mbetet prioritet dhe do të shoqërohet me masa të tjera sociale dhe zhvillimore.