Qeveria kubane njoftoi mbrëmë se 32 shtetas të saj janë vrarë gjatë aksionit amerikan në Venezuelë, në të cilin është arrestuar presidenti Nicolás Maduro, me qëllim që të gjykohet në Shtetet e Bashkuara.
Havana bëri të ditur se dita e sotme dhe dita e nesërme janë shpallur ditë zie. Qeveria nuk dha detaje shtesë, përveç faktit se të vrarët kanë qenë pjesëtarë të ushtrisë kubane dhe shërbimeve të inteligjencës.
“Njerëzit tanë e kryen detyrën e tyre me dinjitet dhe heroizëm dhe ranë pas një rezistence të ashpër, në përballje të drejtpërdrejtë me sulmuesit ose gjatë bombardimeve të objekteve”, thuhet në njoftim.
Kuba e ka ndihmuar Maduron në sigurimin e tij që nga ardhja e tij në pushtet, por nuk dihet sa kubanë e siguronin presidentin e Venezuelës në momentin e vrasjeve, as sa prej tyre kanë humbur jetën në lokacione të tjera.
Maduro (63) dhe bashkëshortja e tij Cilia Flores u kapën nga forcat amerikane të shtunën në Karakas dhe u transferuan në Shtetet e Bashkuara. Maduro ndodhet në paraburgim në Nju Jork, ku pritet të paraqitet para gjykatës të hënën.
Në SHBA, në vitin 2020, ai u akuzua për narko-terrorizëm, akuza të cilat Maduro i ka mohuar vazhdimisht.