Komuna të shumta të Kosovës janë përballur me vërshime, të cilat janë shkaktuar nga reshjet e pandërprera të shiut që kanë rënë ditën e djeshme.
Komuna e Malishevës dhe ajo e Junikut kanë shpallur gjendje emergjente, teksa reshjet e shiut ëahtë paralajmëruar të vazhdojnë edhe sot.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent, tha se situata me vërshime “paraqitet e menaxhueshme, me raste të lokalizuara në disa komuna”.
Sipas AME-së, komunat më të prekura janë Fushë-Kosova, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skënderaji dhe Gjakova, ku raportoi për vërshime në oborre, bodrume dhe rrugë.
“Në Gjakovë është kërkuar ndihmë për evakuimin e mbi 20 familjeve, në koordinim me FSK-në.Në shumicën e komunave të tjera, gjendja është relativisht e qetë dhe stabile, në monitorim të vazhdueshëm”, u tha në njoftim.
Reshjet bënë që qytetarët të përballën edhe me ndërprerje të ujit dhe rrymës.
Uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa disa segmente rrugore janë bërë të pakalueshme. Disa familje janë evakuuar për shkak të rrezikut nga përmbytjet, ndërsa rryma elektrike është ndërprerë në zona të prekura.
Ndërkohë Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se fillimi i procesit mësimor shtyhet deri më 12 janar, shkaku i vërshimeve në vend, shkruan Reporteri.net.
Nagavci ka deklaruar se orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
