Komisioni Evropian paralajmëroi dje se interesat e sigurisë nuk duhet të përdoren kurrë si pretekst për aneksimin e Groenlandës, një rajon autonom i Mbretërisë së Danimarkës, qeveria e së cilës paralajmëron se një marrje e ishullit nga SHBA-të do të thoshte fundi i NATO-s.
“Duam t’u kujtojmë të gjithëve se Groenlanda është një aleat i SHBA-së dhe është nën mbrojtjen e NATO-s”, tha zëdhënësja e Komisionit, Paula Pinho.
Zëdhënësja e Komisionit për Politikë të Jashtme, Anita Hipper, tha se BE pret që partnerët e saj të respektojnë parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial.
“BE-ja do të vazhdojë të mbrojë parimet e sovranitetit kombëtar, integritetit territorial dhe paprekshmërisë së kufijve”, tha Hipper. “Kjo është veçanërisht e vërtetë në rastet kur është në rrezik integriteti territorial i një shteti anëtar të BE-së”, shtoi ajo. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen theksoi se nëse Shtetet e Bashkuara sulmojnë një anëtar tjetër të NATO-s, kjo do të thotë fundi i asaj aleance ushtarako-politike.
“Dua ta bëj të qartë se nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të sulmojnë ushtarakisht një vend tjetër të NATO-s, atëherë gjithçka ndalet, përfshirë NATO-n, dhe bashkë me të edhe siguria që është vendosur që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”, tha ajo. Groenlanda është e pasur me lëndë të para dhe, për shkak të vendndodhjes së saj, është jashtëzakonisht e rëndësishme si bazë për kontrollin ushtarak të Arktikut.
“Ne kemi nevojë për Groenlandën për arsye sigurie kombëtare”, tha të dielën Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Ai shtoi se ishulli ka rëndësi të madhe strategjike dhe aktualisht është i rrethuar nga anije ruse dhe kineze, dhe se Danimarka nuk mund të garantojë sigurinë e tij.
“A e dini se çfarë bëri Danimarka së fundmi për të forcuar sigurinë e Grenlandës? Ata shtuan një sajë tjetër për qen”, tha Trump me tallje.
