Një defekt teknik bllokoi trafikun ajror në të gjithë Greqinë. Mediat greke raportuan se bëhet fjalë për një problem serioz me sistemet qendrore të frekuencave radio të qendrave të kontrollit ajror.
Mosfunksionimi, preku si aeroportet ndërkombëtare Eleftherios Venizelos të Athinës ashtu edhe atë të Selanikut, si dhe aeroportet rajonale, duke i bërë të pamundura mbërritjet dhe nisjet. Udhëtarët u informuan me anë të mesazheve me tekst.
Frekuencat radio që përdoren nga qendra e kontrollit ajror, ishin jashtë shërbimit. Qendra luan një rol vendimtar, pasi të gjithë avionët që hyjnë në hapësirën ajrore greke duhet të mbajnë komunikim me të.
Ndërkohë mediat greke raportuan se rivendosja graduale e Sistemit të Trafikut Ajror filloi pak pas orës 13:30, me orën lokale, si dhe u zhvilluan disa fluturime, sipas një përditësimi nga Aeroporti Ndërkombëtar i Athinës.
Burime nga Autoriteti i Aviacionit Civil grek folën gjithashtu për një rivendosje të pjesshme, pasi avionët e parë kanë filluar të ulen dhe të ngrihen.
“Autoriteti i Aviacionit Civil ka filluar të operojë disa fluturime në përputhje me aftësitë e Sistemit të Trafikut Ajror. Po vazhdojnë përpjekjet për të zgjidhur problemin teknik. Për më shumë informacion në lidhje me zbatimin e fluturimeve, ju lutemi kontaktoni kompaninë tuaj ajrore”, tha Aeroporti Ndërkombëtar i Athinës në një përditësim në faqen e tij të internetit.
Sipas mediave greke, problemi teknik nuk është zgjidhur dhe komunikimi midis kullave të kontrollit dhe avionëve po zhvillohet në frekuenca alternative që ishin të destinuara për përdorim tjetër.
Ndërkohë, që nga mëngjesi i së dielës, mijëra pasagjerë në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës dhe në të gjitha aeroportet greke kanë përjetuar shqetësime të mëdha për shkak të një ndërprerjeje teknike që ka ndikuar në komunikimet radio të Qendrave të Kontrollit të Zonës.
Për shkak të kësaj ndërprerjeje teknike, të gjithë avionët janë ndaluar në pistë dhe të gjitha mbërritjet dhe nisjet janë shtyrë. Avionët që vijnë nga vende të tjera devijohen në aeroportet fqinje, kryesisht ato në Turqi.
Kompanitë vazhduan me shtyrjet dhe anulimet e fluturimeve dhe i informuan pasagjerët përmes njoftimeve, megjithatë, ata pasagjerë që ishin mbledhur herët në zonat e nisjeve folën për orë të tëra pritjeje në radhë, mbipopullim dhe pasiguri në lidhje me funksionimin e fluturimeve të tyre.
Autoriteti Helen i Aviacionit, në bashkëpunim me Cosmote, po zhvillon një “garë” nga ora 1 e mëngjesit për të zgjidhur problemin teknik dhe për të rivendosur funksionimin e qetë të sistemit sa më shpejt të jetë e mundur.
Sipas informacioneve të besueshme, mbyllja e FIR-it të Athinës nuk lidhet me çështje të mbrojtjes dhe as nuk ndikon në forcat e armatosura, të cilat kanë sistemin e tyre të komunikimit për mjetet ajrore
