Izraeli nis operacionin për të gjetur pengun e fundit në Gazë

Izraeli ka njoftuar të dielën se ushtria e tij po zhvillon një “operacion në shkallë të gjerë” për të gjetur pengun e fundit në Gazë, teksa Uashingtoni dhe ndërmjetës të tjerë po ushtrojnë presion mbi Izraelin dhe Hamasin që të kalojnë në fazën e radhës të armëpushimit.

Deklarata u bë ndërsa kabineti izraelit u mblodh për të diskutuar mundësinë e hapjes së pikës kyçe kufitare të Rafahut me Egjiptin, si dhe një ditë pasi emisarë të lartë amerikanë u takuan me kryeministrin, Benjamin Netanyahu, për hapat e ardhshëm.

Kthimi i pengut të mbetur, Ran Gvili, konsiderohet si heqja e pengesës së fundit për të ecur përpara me hapjen e pikëkalimit të Rafahut dhe me zbatimin e fazës së dytë të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

Të dielën vonë, zyra e Netanyahut ka thënë në një deklaratë se “Pas përfundimit të këtij operacioni, dhe në përputhje me atë që është rënë dakord me Shtetet e Bashkuara, Izraeli do të hapë pikëkalimin e Rafahut.” Nuk janë dhënë detaje se sa kohë do të zgjasë kjo, por zyrtarë ushtarakë izraelitë u cituan në mediat vendase të thonë se operacioni mund të zgjasë disa ditë.

Kthimi i të gjithë pengjeve të mbetura, të gjallë apo të vdekur, ka qenë një pjesë qendrore e fazës së parë të armëpushimit që ka hyrë në fuqi më 10 tetor. Pengu i fundit ishte gjetur në fillim të dhjetorit.

Edhe pse Izraeli ka kryer më parë përpjekje kërkimi për Gvilin, për këtë operacion u publikuan më shumë detaje se zakonisht. Ushtria izraelite ka thënë se po kërkon në një varrezë në veri të Gazës, pranë Vijës së Verdhë, e cila shënon zonat e territorit nën kontroll izraelit.

Ndërkaq, një zyrtar ushtarak izraelit ka thënë se Gvili mund të jetë varrosur në zonën Shijaiya-Tuffah të qytetit të Gazës dhe se rabinë dhe ekspertë dentarë ndodhen në terren me ekipe të specializuara kërkimi.

Familja e Gvilit i ka bërë thirrje qeverisë së Netanyahut të mos hyjë në fazën e dytë të armëpushimit derisa eshtrat e tij të kthehen.

Megjithatë, presioni është rritur dhe administrata Trump tashmë ka deklaruar ditët e fundit se faza e dytë ka nisur.

Izraeli e ka akuzuar vazhdimisht Hamasin se po zvarrit procesin e gjetjes së pengut të fundit.

Mirëpo Hamasi në një deklaratë të dielën, ka thënë se kishte dhënë të gjithë informacionin që kishte lidhur me eshtrat e Gvilit, dhe për më tepër, ka akuzuar Izraelin se po pengon përpjekjet për t’i kërkuar ato në zonat e Gazës nën kontrollin ushtarak izraelit.