ISHP: Mbrojtja më e mirë nga gripi mbetet vaksinimi





Kulmi i gripit sezonal pritet të arrijë në dy, tre javët në vijim. Spitalet dhe ordinancat të mbushura me pacientë kërkojnë trajtim dhe këshilla mjekësore kundër gripit. Megjithatë, mantelbardhët apelojnë që mos të merren antibiotikë pa udhëzim të mjekut, sepse pacienti nuk e di nëse ka virus sezonal apo baktere. Rekomandojnë higjienë personale, konsum të pemëve dhe perimeve, ujë dhe lëngje pa gaz.

“Menjëherë mos të fillohet me antibiotik, sepse kur ka virus në organizëm, organizmi lufton me atë virus dhe më së paku i duhet antibiotik, sepse antibiotiku e ndal mbrojtjen e parë të organizmit. Pastaj mund të ndodhin komplikime. Për këtë arsye është me rëndësi që të reagohet me kohë dhe të respektohen këshillat dhe rekomandimet dhe kokë më vete mos të merren antibiotikë. Kategoritë më të rrezikuara janë fëmijët e vegjël, foshnjat, sepse tek ata virusi ngjitet shpejt dhe kalon më vështirë. Po ashtu edhe tek personat me sëmundje kronike, të cilëve mund t’ju rëndohet situata shëndetësore”, deklaroi pediatrja dhe pulmologja, Tatjana Baevska.

Ndërkohë nga Instituti i Shëndetit Publik vazhdojnë të theksojnë se mbrojtja më e mirë nga gripi mbetet vaksinimi, sidomos për popullatën mbi 65 vjet, fëmijët 5 – 6 vjeç, ata me sëmundje kronike, gratë shtatzëne dhe nëpunësit shëndetësorë.

Për sezonin 2025-2026, Ministria e Shëndetësisë ka siguruar vaksina katërvalente në sasi prej 80 mijë dozash. Në javën e fundit të vitit të kaluar 770 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe trajtim për gripin sezonal.