Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar të Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, ka deklaruar se gjatë takimeve në terren qytetarët tregojnë interes për projekte konkrete dhe rezultate të prekshme, e jo për premtime pa mbulesë.
Në intervistën për TetovaSot, Shabani theksoi se komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët është pjesë kyçe e fushatës së tij, ku, përveç prezantimit të programit, dëgjohen edhe kërkesat dhe prioritetet reale të banorëve.
“Qytetarët e shohin punën e bërë dhe dallimin mes asaj që është premtuar dhe asaj që është realizuar. Ky është besimi që e kemi ndërtuar ndër vite,” u shpreh Shabani.
Ai shtoi se pikërisht ky besim është arsyeja pse pret mbështetje të gjerë në zgjedhjet e përsëritura lokale të 11 janarit në Komunën e Vrapçishtit.
