Isen Shabani nga qendra e GOSTIVARIT: Fitorja ime është edhe e juaja, bashkë rrëzuam aparatin shtetëror! (VIDEO)

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, Isen Shabani, pas shpalljes së fitores në Komunën e Vrapçishtit, ka vazhduar festimet në sheshin e qytetit të Gostivarit, ku para qytetarëve, aktivistëve dhe mbështetësve të shumtë ka mbajtur një fjalim falënderues, raporton TS.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Shabani theksoi se kjo fitore nuk është vetëm e tij, por e të gjithë qytetarëve që e mbështetën gjatë fushatës. Ai u shpreh se së bashku me ekipin e tij do të punojë për realizimin e projekteve të premtuara.

“Kjo fitore është e jona dhe e juaja. Së bashku do të punojmë për projektet që i kemi premtuar qytetarëve,” deklaroi Shabani, duke uruar të gjithë për rezultatin e arritur.

Ai theksoi se fushata zgjedhore ka qenë e lodhshme dhe e vështirë, veçanërisht për shkak të pengesave dhe presioneve nga pushteti qendror, si në aspektin ligjor ashtu edhe institucional. Megjithatë, sipas tij, përkushtimi dhe angazhimi i përbashkët bënë të mundur arritjen e fitores.

“Kemi punuar maksimumin gjatë këtyre gjashtë muajve. Jemi lodhur të gjithë, ndoshta ju edhe më shumë se unë, por në fund ia vlejti. Kur arrijmë të përballojmë dhe të mposhtim gjithë aparatin shtetëror, kjo lodhje është e ëmbël dhe e bukur,” tha Shabani.

Festa në sheshin e Gostivarit u shoqërua me brohoritje dhe entuziazëm nga mbështetësit, duke reflektuar gëzimin për fitoren dhe pritshmëritë për realizimin e projekteve të paralajmëruara në Komunën e Vrapçishtit./TS