Një reagim i fortë ka ardhur nga Flori Epiriani, punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe themelues i Sindikatës së Pavarur të Policisë, i cili përmes një letre të hapur në Facebook i është drejtuar zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, pas deklaratës së këtij të fundit për “mungesë të kuadrit adekuat” shqiptar në pozita udhëheqëse, shkruan Tetovasot.
Sipas Tetovasot, Epiriani thekson se i ndjen për obligim moral dhe profesional t’i përgjigjet kësaj deklarate “me fakte, jo me fjalë politike”, duke prezantuar profilin e tij profesional prej 23 vitesh në MPB.
“Kam 23 vite përvojë pune aktive në MPB, mbi 17 vite me arsim të lartë dhe jam instruktor i certifikuar nga vetë MPB-ja për trajnimin e kandidatëve të rinj për policë”, shkruan Epiriani, citon Tetovasot.
Ai shton se gjatë karrierës ka aplikuar plot 159 herë për pozita të ndryshme brenda institucionit, por ende mbetet në të njëjtin pozicion si në ditën e parë të punësimit.
“Ata nxënës që kanë kaluar nëpër duart e mia sot i kam eprorë, ndërsa unë mbetem ‘i pamjaftueshëm’ për sytë e politikës”, thekson ai, sipas Tetovasot.
Epiriani ngre pyetjen se çfarë kuadri po kërkohet realisht: profesionistë apo dëgjues partiakë, njerëz të shkolluar apo persona që, siç shprehet ai, “ngjisin shkallët me ashensorë politikë”.
Sipas Tetovasot, ai vlerëson se problemi nuk është mungesa e shqiptarëve të aftë, por menaxhimi i dobët i burimeve njerëzore dhe seleksionimi politik, që sipas tij anashkalon profesionistët.
Në fund, Epiriani i bën thirrje zëvendësministrit që në vend të deklaratave që ulin dinjitetin e punonjësve shqiptarë, të hapë dosjet e aplikimeve të tij dhe të kolegëve të tjerë që, siç thotë, “kalben nëpër stacione pa u graduar kurrë, vetëm sepse nuk kanë kumbarë politikë”, shkruan Tetovasot.