Ilir Demiri: Vota për “Safe City” nuk ka qenë kundër shqiptarëve, mbetem deputet i pavarur në shërbim të qytetarëve

Deputeti i pavarur Ilir Demiri ka reaguar publikisht ndaj, siç i cilëson ai, spekulimeve dhe interpretimeve të pavërteta që po qarkullojnë ditëve të fundit në opinionin publik lidhur me qëndrimet dhe veprimtarinë e tij politike.

Në një deklaratë për qytetarët, Demiri thekson se angazhimi i tij politik nuk ka qenë dhe nuk është profesion apo mjet për përfitime personale, por një formë shërbimi ndaj komunitetit, e ndërtuar mbi parime morale, përgjegjësi dhe ndërgjegje personale.

Ai rikujton se rrugëtimi i tij publik nis nga profesioni i mjekut, ku është betuar t’u shërbejë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike apo fetare, parim që, sipas tij, ka mbetur i pandryshuar edhe në angazhimin politik.

Demiri kujton periudhën e drejtimit të Spitalit Klinik të Tetovës, ku, sipas tij, së bashku me stafin janë ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e funksionimit të institucionit, duke filluar nga çështjet elementare infrastrukturore deri te pajisjet mjekësore dhe vendosja e rendit institucional. Ai thekson se këtë angazhim e ka vazhduar edhe si Ministër i Shëndetësisë, me fokus në reforma reale dhe të qëndrueshme, njofton TS.

Lidhur me votimin për funksionalizimin e projektit “Safe City”, Demiri sqaron se ligji do të miratohej pavarësisht votës së tij, duke qenë se ekzistonte shumica e nevojshme parlamentare. Megjithatë, ai thekson se vota e tij ka qenë e bazuar në bindjen personale se projekti kontribuon në rritjen e rendit dhe sigurisë publike dhe nuk është në dëm të qytetarëve.

“Për këtë qëndrim nuk ka pasur asnjë presion ndaj meje, dhe as nuk do ta lejoja kurrë një gjë të tillë,” deklaron Demiri, duke shtuar se vazhdon të veprojë si deputet i pavarur dhe se nuk ndikohet nga interesa politike apo private.

Ai i ka cilësuar si të pavërteta dhe të pabazuara pretendimet se vota e tij ka qenë kundër shqiptarëve, duke theksuar se të dhënat zyrtare nga Regjistrimi i Popullsisë 2021 tregojnë se projekti “Safe City” nuk targeton asnjë komunitet të veçantë, por zbatohet në qytetet më të mëdha për të gjithë qytetarët.

Në fund, Demiri shpreh vendosmërinë e tij për të vazhduar të jetë zë i qytetarëve në Kuvend dhe për të qëndruar, siç thotë ai, “me ndërgjegje të pastër dhe përgjegjësi të plotë morale” në anën e qytetarit.