Halil Snopçe: Pa reforma reale dhe ndryshime kushtetuese, eurointegrimi i Maqedonisë do të ngrijë

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, gjatë fjalimit të tij në prezantimin e prioriteteve të Presidencës së Qipros me Këshillin e BE-së, theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet prioritet kyç gjeopolitik dhe faktor stabiliteti, veçanërisht për Ballkanin Perëndimor dhe Maqedoninë e Veriut.

Snopçe vlerësoi se fakti që Presidenca e Qipros e ka vendosur përparimin e zgjerimit në qendër të agjendës së saj, në kuadër të konceptit “Union autonom i hapur ndaj botës”, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin. Sipas tij, kjo qasje nënkupton përkrahje diplomatike dhe politike për përparim konkret të shteteve të rajonit, përfshirë edhe Maqedoninë.

Ai theksoi se Qiproja e sheh zgjerimin jo vetëm si proces politik, por si çështje sigurie dhe prosperiteti për vetë Bashkimin Evropian. Megjithatë, sipas Snopçes, për Maqedoninë çështja kyçe dhe e pashmangshme mbeten ndryshimet kushtetuese.

“Ndryshimet kushtetuese dhe hapja e negociatave janë sinonime. Njëra nuk ecën pa tjetrën”, deklaroi Snopçe, duke shtuar se pa këtë hap nuk mund të ketë progres real në procesin e anëtarësimit.

Deputeti i ASh-së nënvizoi gjithashtu rëndësinë e sundimit të së drejtës dhe reformave reale, e jo vetëm deklarative, siç i kërkon edhe Presidenca e Qipros. Ai veçoi nevojën për procedura gjyqësore të përfunduara për korrupsionin e nivelit të lartë dhe për një Këshill Gjyqësor të pavarur dhe funksional.

Snopçes, në rast se bëhen ndryshimet kushtetuese, do të hapet automatikisht klasteri i parë i negociatave dhe Maqedonia do të fitojë statusin e një kandidati kredibil për anëtarësim, me qasje më të madhe në fondet evropiane dhe me rritje të besueshmërisë për investitorët. Në të kundërtën, ai paralajmëroi se vazhdimi i status quo-së do të çojë në ngrirje de facto të procesit të eurointegrimit dhe në margjinalizim të heshtur të vendit.

Snopçe paralajmëroi edhe për rrezikun e rritjes së ndikimit të shteteve të treta, si Rusia dhe Kina, kryesisht përmes Serbisë, duke theksuar se kjo çështje është përmendur edhe në raportet e Parlamentit Evropian.

Në këtë kontekst, ai rikujtoi vërejtjet e Këshillit të Evropës ndaj Qeverisë për rikthimin e Balancerit dhe zbatimin e Ligjit për Gjuhët, duke i cilësuar këto si thelbësore për barazinë reale dhe stabilitetin e brendshëm të vendit.

“Pa Balancer dhe pa zbatimin e përdorimit të gjuhëve nuk ka barazi reale. Evropa e sheh qartë këtë dhe çdo shmangie konsiderohet hap prapa në standardet demokratike”, theksoi Snopçe.

Në fund, deputeti i Aleancës për Shqiptarët kritikoi ashpër qeverinë aktuale, duke e akuzuar për mungesë strategjie, veprimi dhe reformash konkrete, ndërsa bëri thirrje për veprim të menjëhershëm për të mos humbur edhe më tej kohë në rrugën evropiane.