Mbrëmë, në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës u diskutua gjerësisht për Gjykatën Speciale dhe afrimin e verdiktit final ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, deklaroi se aktivitetet e fundit të organizatës nuk kanë pasur asnjë mbështetje nga shteti i Kosovës, ndërsa përkrahje kanë gjetur te partitë e tjera politike dhe në rrafshin ndërkombëtar, transmeton Klankosova.tv.
Në Klan Kosova ai theksoi mungesën totale të komunikimit me Lëvizjen Vetëvendosje tash e pesë vite, duke shtuar se OVL-UÇK, brenda mundësive, ka tentuar t’i japë zë dhe dritë padrejtësive që, sipas tij, Gjykata Speciale ia ka shkaktuar Kosovës.
“Me Vetëvendosjen, nuk ka komunikim fare qe pesë vite. Megjithatë, kemi takuar liderët e partive tjera politike, parlamentare dhe joparlamentare. Na kanë dhënë mbështetje, fatmirësisht. Edhe në rrafshin ndërkombëtar kemi pasur shumë vizita, kemi pasur protesta në rrafshin diplomatik, si dhe vizitën e fundit në Vatikan. Mendojmë se përmes këtyre aktiviteteve tona i kemi dhënë pak dritë, ose kemi tentuar që përmes zërit të qytetarëve t’i japim dritë kësaj errësire që Gjykata Speciale i ka dhënë vendit tonë”, tha Syla.
Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, kritikoi ashpër institucionet për mungesë veprimi politik në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Ajo tha se kërkesat e vazhdueshme të mbrojtjes, përfshirë edhe letrat drejtuar Qeverisë dhe Ministrisë së Financave, kanë mbetur pa përgjigje konkrete, si nga pushteti ashtu edhe nga ish-opozita, e cila sipas saj ka pasur më shumë mundësi dhe vota për të vepruar në legjislaturat e kaluara.
“Jo më larg se me 12 qershor në Ditën e Çlirimit, si simbolikë ka shkuar edhe një letër e fundit, drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës, edhe Ministrisë së Financave, pavarësisht që kësaj here do të mund të thirreshin me atë arsyetimin që kanë qenë akoma në detyrë dhe nuk kanë mundur të marrin vendime edhe pse janë marrë vendime të shumta gjatë kësaj periudhe, e njëjta letër identike është dërguar edhe një vit më herët, pra në qershorin e vitit 2024 dhe sërish nuk ka pasur përgjigje pozitive karshi kërkesës së mbrojtjes, që është njëra prej kërkesave kryesore, se më tepër s’kanë çfarë të bëjnë”, tha Mujku.
“Pastaj kemi mosveprime edhe nga ish-opozita, sepse kanë mundur që të kërkojnë krijimin e këtyre komisioneve parlamentare, që tash kanë bërë fushatë që do t’i kërkojnë gjatë këtij mandatit të legjislaturës së 10, edhe gjatë legjislaturës së 9-të kanë qenë shumë ligje të tjera që kanë pritur të votohen”, tha gazetarja.
Ndërkohë, avokati Ardian Bajraktari u shpreh optimist për epilogun e procesit, duke deklaruar se prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë elementet kyçe të përgjegjësisë komanduese, veçanërisht sa i përket zinxhirit komandues dhe ushtrimit efektiv të kontrollit.
“Me theks të veçantë sa i përket dy bazave, çështjen e strukturës dhe zinxhirit komandues dhe ushtrimin efektiv të kontrollit, që janë dy elemente esenciale për t’u vërtetuar përgjegjësia komanduese e natyrisht, dëshmitarët e mbrojtjes i kanë kontribuar tejmase kësaj. Prandaj, mbi bazën e asaj që kemi parë unë jam optimist që qershori ose eventualisht korriku do të mund të kemi epilog pozitiv sa i përket çështjes së çlirimtarëve tanë”, deklaroi ai në Klan Kosova.
Sipas tij, vendimi përfundimtar mund të pritet në qershor ose korrik dhe ai shpreson në një epilog pozitiv.
Profesori Rrahman Paçarizi ishte kritik ndaj shoqërisë kosovare, duke deklaruar se një pjesë e shqiptarëve janë gëzuar në momentin e arrestimit të Hashim Thaçit.
Ai theksoi mungesën e reagimit qytetar që nga themelimi i Gjykatës Speciale, duke e cilësuar këtë si dështim shoqëror.
“Çka ke me pritë prej kësaj shoqërie? Një njeri i cili ka luftuar, është simboli i UÇK-së. Çka po pret prej një shoqërie që ka pasur kaq pak ushtarë për t’u çliruar nga Serbia? Çka po pret prej një shoqërie që nuk ka ditur të reagojë në ditën kur u formua Gjykata Speciale. Me organizu protesta dhe me i qitë jashtë kuvendit p.sh Beratin i cili ka votuar”, deklaroi Paçarizi.
Në të njëjtën linjë kritikash, gazetari Berat Buzhala e quajti Gjykatën Speciale “kidnapim të drejtësisë”, duke thënë se një gjykatë e tillë do të rrëzohej në çdo vend tjetër evropian dhe se Kosova nuk ka mekanizma realë për ta sfiduar atë.
“Po të ishim pjesë e Këshillit të Evropës, në secilin vend do të rrëzohej kjo gjykatë, në secilin nen do të rrëzohej. Ky është një kidnapim i drejtësisë që është marrë veç një herë dhe është dërguar atje. As nuk mund ta paditësh BE-në për padrejtësi, sepse ai thotë se ai është pjesë e jotja”, u shpreh Buzhala. /klankosova.tv