Gjoni Palokaj synon Top 5 në OKTAGON MMA me sfidën ndaj James Hendin





Luftëtari shqiptar Gjoni Palokaj po vazhdon ngritjen e tij të shpejtë në OKTAGON MMA dhe tashmë po përgatitet për një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës.

Më 17 janar 2026, në PSD Bank Dome në Düsseldorf, Palokaj do të ndeshet me britanikun James Hendin në peshat e lehta, përpara një audience prej rreth 20,000 shikuesish.

Luftëtari me prejardhje nga Velezha e Prizrenit, i rritur në Gjermani, renditet aktualisht i gjashti në divizion, ndërsa Hendin zë vendin e shtatë.

Ky duel shihet si kyç për një hap drejt Top 5 të kategorisë dhe një hap të madh drejt majës së organizatës.

Me një rekord prej 13 fitoresh dhe 3 humbjesh, përfshirë 7 fitore radhazi, Palokaj po konsolidohet si një nga luftëtarët më të rrezikshëm të OKTAGON, falë stilit agresiv dhe aftësisë për të përfunduar ndeshjet para kohe.

Ky duel është një test i madh për shqiptarin, i cili synon të vazhdojë ngritjen e tij dhe të afrohet gjithnjë e më shumë me ëndrrën për të garuar një ditë në UFC.