Gashi sot do të realizojë një takim lamtumirës me ambasadoren Ageler





Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot do të realizojë një takim lamtumirës me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anxhela Ageler….

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot do të realizojë një takim lamtumirës me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anxhela Ageler.

Ageler misionin e saj diplomatik në vend e nisi në nëntor të vitit 2022. Ajo u gjet në qendër të vëmendjes së opinionit publik në dhjetor, jo për shkak të përfundimit protokollar të mandatit, por për shkak të një vendimi politik nga Uashingtoni. Ambasada amerikane atëherë konfirmoi se ajo ishte ndër diplomatët që do të tërhiqeshin, në një paketë që mediat e lidhën me vendimin e administratës së Donald Trump për të thirrur pothuajse 30 ambasadorë, kryesisht diplomatë karriere, të emëruar nga administrata e mëparshme.

Ageler është diplomate karriere dhe nuk ishte hera e parë që shërbente në Maqedoni. Më herët ajo ka qenë zyrtare për marrëdhënie me publikun në Ambasadën Amerikane në Shkup, në periudhën 2011–2014. Më pas ka punuar edhe si atashe për kulturë dhe shtyp në Ambasadën në Hanoi, Vietnam, zëdhënëse e Byrosë për Çështje Konsullore pranë Departamentit të Shtetit, konsulle dhe lidhëse me komunitetin amerikan në Ambasadën e SHBA-së në Paris, Francë, si dhe zëvendëskonsulle dhe zëvendës atashe për shtyp në Nju Delhi, Indi.