Futbollisti slloven lë futbollin, për t’u kujdesur për babanë e sëmurë!

Mesfushori slloven ka mbyllur para kohe kontratën me Lajpcig për t’u kujdesur për babanë e sëmurë, pas vdekjes tragjike të të vëllait.

Kevin Kampl ka vendosur t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur. Nuk është një lamtumirë si e gjithë futbollistëve të tjerë kjo e 35-vjeçarit slloven. Ai ka vendosur ta ndërpresë kontratën me klubin gjerman Lajpcig jo për çështjen e moshës. Është një zgjedhje zemre: kthim në shtëpi për të qenë pranë familjes, e tronditur nga një dramë e dyfishtë.

Gjithçka ndryshoi tetorin e kaluar me vdekjen e papritur të vëllait Seki në moshën 51-vjeçare. Një goditje e fortë, që u rëndua më pas nga sëmundja e babait. Përballë kësaj dhimbjeje, Kampl nuk kishte dyshime.

“Humbja e vëllait më bëri të kuptoj se sa e çmuar është koha dhe se sa e rëndësishme është ta kalosh me njerëzit më të dashur, – ka shkruar slloveni në mesazhin drejtuar tifozëve. – Pas gjithë këtyre viteve kuptova që ka ardhur momenti të kthehem në shtëpi. Edhe babai im nuk është mirë me shëndet. Është kohë, që nuk kthehet më”.

Klubi gjerman mirëkuptoi situatën dhe pranoi mbylljen para kohe të kontratës në fund të muajit. Kampl largohet pas shumë vitesh si protagonist. Prej vitit 2017 te Lajpcig, ai ka luajtur 283 ndeshje, ku ka shënuar 13 gola dhe ka dhënë 23 asiste. Ka fituar 2 Kupa të Gjermanisë dhe 1 Superkupë, si dhe ka shkuar deri në gjysmëfinale të Champions-it.

Marcel Schäfer, administrator i klubit gjerman, e ka përshëndetur me nder vendimin e Kampl: “Vendimi i tij për t’u përqendruar te familja meriton respekt maksimal, tregon karakterin e tij”.

Përshëndetjen me tifozët slloveni do ta bëjë më 17 janar, kur do të luhet supersfida kundër Bayern.