Ende në kërkim autori i plumbit qorr që vrau 2-vjeçarin! Piroteknika dhe armët në festat e fundvitit lanë pasoja të shumta

Ende nuk dihet kush është dorasi që shtiu për qejf natën e Vitit të Ri, por që ia mori jetën një fëmije 2 vjeç. Në orët a para të 1 janarit, plumbi qorr që erdhi nga qielli në oborrin e familjes në Komunën e Gazi Babës, të cilët kishin dalë t’i shohin fishekzjarrët, por që ishte fatal për 2 vjeçarin, i cili ndërroi jetë pastaj në Spitalin e Shkupit.

“Nuk bëhet fjalë për plumb të shkrepur direkt për të goditur fëmijën, por bëhet fjalë për plumb qorr. Sipas informacioneve që janë ndarë me mua deri më tani, hetimi vazhdon dhe do t’i ndërmarrim të gjitha hapat e duhur për të vërtetuar kryerësin e veprës konkrete. Vërtetë këto janë raste të rënda për gjetjen dhe zbulimin e kryerësit konkret”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm.

Por ky nuk është rasti i vetëm! Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se gjatë natës së ndërrimit të mot moteve 7 ndërhyrje mjekësore ka pasur në pacientë të lënduar nga mjetet piroteknike. Prej tyre 5 fëmijë ndërsa më keq e kanë pësuar dy të rriturit, ku njëri, nga mbajtja e petardës madhe në dorë gjatë pëlcitjes, ka humbur gishtërinjtë. Ministri Azir Aliu tha se asnjëherë mos të festohet me armë e as piroteknikë.

“Fakti që ndër të lënduarit ka edhe fëmijë, e disa prej tyre është dashur t’u bëhet edhe amputim, flet mjaftueshëm për peshën e pasojave mbi shëndetin. Prandaj iu bëjmë thirrje prindërve që të mos lejojnë piroteknikë në duart e fëmijëve të tyre të përdoren si lojëra për shkak se përfundojnë me kirurgji plastike dhe lëndime në trupin e tyre”, u shpreh Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.

Ministria e Brendshme gjatë vitit që sapo lamë pas ka sekuestruar 252 mijë copë piroteknike, duke u arrestuar 37 persona, ndaj të cilëve janë ngritur kallëzime penale për përdorimin dhe mbajtjen e palejuar si dhe tregtimin e armëve dhe materieve plasëse. Në krahasim me 2024, vjet kishte trefish rritje të sekuestrimeve të piroteknikës ilegale. Vetëm në aksionin e para festave u konfiskuan 35 tonë mjete piroteknike, ku u arrestua edhe një polic nga SPB Veles i përfshirë në këtë kontrabandë.