El Clasico spektakolar në finale, Real Madridi eliminon Atletico Madridin

Real Madridi ka siguruar një vend në finalen e Superkupës së Spanjës pas fitores 2-1 ndaj Atletico Madridit në ndeshjen gjysmëfinale, duke konfirmuar formën e mirë në përballjet e mëdha.

Takimi nisi në mënyrë ideale për “Los Blancos”, të cilët kaluan në epërsi që në minutën e dytë. Federico Valverde realizoi një supergol nga distanca me goditje dënimi, duke e dërguar topin në këndin e sipërm të portës dhe duke mposhtur Jan Oblakun.

Pas golit të hershëm, Real Madridi kontrolloi lojën dhe krijoi raste të tjera përmes Rodrygos dhe Vinicius Juniorit, por pa arritur të ndryshojë rezultatin në pjesën e parë.

Në anën tjetër, Atletico u përpoq të reagojë, por u përball disa herë me pritjet vendimtare të Thibaut Courtois.

Dominimi i madrilenëve u konkretizua në minutën e 55-të, kur Valverde asistoi për Rodrygon, i cili shënoi me qetësi brenda zonës për rezultatin 2-0.

Vetëm tri minuta më vonë, Atletico u rikthye në lojë. Giuliano Simeone harkoi saktë në zonë, ndërsa Alexander Sorloth realizoi me kokë për 2-1, duke rikthyer shpresat për ekipin e Diego Simeones.

Në minutat e fundit, Atletico shtoi presionin dhe pati raste të arta për barazim. Griezmann u ndal nga një pritje brilante e Courtois, ndërsa Marcos Llorente humbi dy mundësi të pastra shënimi, përfshirë një rast ballë për ballë me portierin belg.

Në fund, Real Madridi arriti ta ruajë avantazhin dhe të sigurojë kualifikimin në finale, ku të dielën e pret përballja e madhe ndaj Barcelonës në “El Clasico”.