Dimitrieska-Koçoska: Sistemi i e-faturës është hap serioz në luftën kundër ekonomisë gri dhe reformë në financat publike

5 janar 2026, Shkup – Sot, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike Elena Petrova, njoftuan mbi fillimin e zbatimit të sistemit e – fatura, duke e vlerësuar atë si reformë të rëndësishme në financat publike dhe hap serioz në luftën kundër ekonomisë gri.

“Lufta kundër ekonomisë gri, përkatësisht formalizimi i saj, është prioritet i Qeverisë dhe pjesë e programit katërvjeçar. Vlerësimet e Bankës Botërore, FMN-së dhe Komisionit Evropian tregojnë se ekonomia gri në vendin tonë arrin rreth 30 për qind të PBB-së, që është mbi mesataren e Bashkimit Evropian.

Prandaj, kemi nevojë për qasje sistemike, me masa që do të jenë me interes të ndërsjellë, si për shtetin po ashtu edhe për komunitetin e biznesit. Kjo ka ndikim të fuqishëm jo vetëm në arkëtimin e të ardhurave në buxhet, por edhe në zbatimin e projekteve për shëndetësi, arsim, mbrojtje sociale më të mirë, si dhe inovacion dhe rritje ekonomike”, theksoi ministrja e Financave gjatë konferencës për shtyp.

Ajo potencoi se dixhitalizimi i proceseve është aspekt krucial në Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe në institucionet e tjera, si për rritjen e efikasitetit, arkëtimit, po ashtu edhe për shpenzimet e mjeteve buxhetore.

“E-fatura është pjesë e përpjekjeve tona për transformimin dixhital të financave publike. Drejtorinë e të Ardhurave Publike e përgëzoj për zbatimin e kësaj reforme të rëndësishme, e cila sjell benefite për shtetin duke zvogëluar ekonominë gri dhe përfitime të konsiderueshme për ekonominë dhe kompanitë”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.

Siç shpjegoi ministrja, sistemi i ri elektronik do t’i zëvendësojë proceset tradicionale që lidhen me shfrytëzimin e gjerë të letrës dhe dokumenteve fizike, ku si rezultat i kësaj do të zvogëlohet barra administrative dhe do të thjeshtësohet puna e kompanive.

Sipas ministres, përmes dixhitalizimit dhe lirimit nga detyrimet e shumta administrative u mundësohet kompanive t’i destinojnë burimet e tyre në aspektet kryesore të zhvillimit dhe rritjes së tyre.

“Me anë të e-faturës, ekonomia do të bëhet më e drejtë, më transparente dhe më e hapur për investime, ndërsa konkurrenca do të arrijë një nivel më të lartë. Në këtë mënyrë, do të sigurojmë kushte të duhura pune dhe do të kemi bazë për rritje të qëndrueshme ekonomike, e cila kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e standardeve të jetesës së qytetarëve. Nga ana tjetër, e-fatura për shtetin do të mundësojë arkëtim më efikas të tatimeve, bazuar në të dhëna të sakta dhe reale, si dhe luftë më të fuqishme kundër ekonomisë gri”, tha ministrja e Financave.

Ajo theksoi se vendosja e-faturës është pjesë e qasjes sistemike të Qeverisë për t’u ballafaquar me ekonominë joformale, për të pasur qasje sa i përket rritjes së transparencës dhe përforcimit të besimit ndërmjet organeve tatimore dhe komunitetit afarist. Siç nënvizoi ministrja, kjo është qasje me të cilën po krijojmë partneritet për një ekonomi më të qëndrueshme dhe konkurruese, me norma më të larta rritjeje, me investime të shumta, vende të reja pune dhe paga më të larta.

Duke theksuar se e-fatura nuk është vetëm zgjidhje teknike, por themeli i ekonomisë moderne dhe të përgjegjshme, ajo do t’i mundësojë shtetit të ketë të dhëna të sakta dhe në kohë për të zbatuar politika ekonomike cilësore dhe të qëndrueshme në dobi të qytetarëve dhe ekonomisë.

Në konferencën për shtyp, ajo njoftoi gjithashtu se Ministria e Financave ka filluar aktivitetet për vendosjen e mekanizmit të ri për verifikimin e pavarur dhe objektiv të zbatimit të rregullativës tatimore në procedurat specifike dhe tatimore, që do të sigurojë raport të drejtë dhe të duhur, siguri për tatimpaguesit, duke parandaluar subjektivizmin gjatë vendimmarrjes së inspektorëve tatimorë dhe duke zvogëluar mosmarrëveshjet që zgjidhen në procedurat gjyqësore. Përveç kësaj, së bashku me DAP-in, do të fillojë edhe projektimi i mekanizmit të brendshëm të kontrollit të cilësisë brenda vetë drejtorisë.