Halil Krasniqi
Kur një pjesë të jetës ia kushton mjekësisë dhe halleve të njerëzve, duke u përballur çdo ditë me kërkesat e tyre për shërim të shpejtë, lind një bindje se mund të gjesh zgjidhje për gjithçka. Kjo kërkon kohë, përkushtim dhe përgjegjësi për secilin që shtrohet në spital dhe trajtohet si pacient.
Por problemi fillon më vonë, kur raporti mjek–pacient kthehet në rutinë dhe kufijtë fillojnë të fshihen. Për të kuptuar një të sëmurë mendor duhet të dëgjosh hallet e tij, jetën, frikërat, halucinacionet; duhet të hysh në botën e tij, ta përjetosh atë. Kur kjo përsëritet çdo ditë dhe në zyrë kalojnë dhjetëra pacientë, mjeku fillon, pa e kuptuar, të marrë edhe rolin e pacientit.
Këtu fillon humbja e realitetit. Mjeku mendon si pacient, por në publik paraqitet si mjek. Ambicia për të hyrë në skenën politike dhe për t’u paraqitur si përfaqësues i një grupimi politik bëhet e pakontrolluar. Por politika nuk është klinikë — ajo është arenë. Dhe në arenë nuk mjafton manteli i bardhë; aty kërkohen forcë, strategji dhe përballje.
Dëshira për të marrë pjesën më të madhe të pushtetit rritet. Por sapo kthen kokën, lojtarët e tjerë ia ndërrojnë rregullat, ia zhvendosin tryezën dhe ia marrin copën e “ëmbëlsirës”. I irrituar, ai reagon emocionalisht, si pacient e jo si përfaqësues i një mahalle. Këtu ndodh gabimi fatal , kërcënimeve politike u përgjigjet me nervozizëm personal, ndërsa sistemi i përgjigjet me goditje edhe më të forta.
Në fund dorëzohet. Pranon terapinë politike të atyre që dikur i sulmonte publikisht, i quante të paaftë, madje i etiketonte si të sëmurë mendorë që duhet të largohen nga politika. Sot, ironikisht, udhëhiqet prej tyre.
Edhe pse i dobësuar politikisht, pacienti ndonjëherë arrin të mendojë si mjek, duke u përpjekur të mbrojë rrethin e vet. Por nuk i mbetet rrugë tjetër përveçse të bashkohet me ata që dje u sugjeronte pension politik dhe largim të përhershëm nga skena publike.
Prandaj shtrohet pyetja thelbësore:
Kush je sot?
Mjeku që udhëheq, apo pacienti që trajtohet?
Populli nuk harron.
E di kush ishe dje dhe kush je sot.
E di çfarë thoje dje dhe çfarë thua sot.
Dhe çdo dalje e re publike vetëm sa e thellon këtë kontradiktë.
Terapia është rritur.
Kujdes në paraqitje ..