Dështim në Budva: Në vend të spektaklit, 600 dronë përfunduan në det – policia dhe prokuroria po hetojnë





Ajo që duhej të ishte një “spektakël i paparë në këto hapësira” për pritjen e Vitit të Ri në Budva, u shndërrua në një dështim të plotë. Rreth 600 dronë, të cilët në mesnatë duhej të realizonin një shfaqje ndriçuese mbi Qytetin e Vjetër, përfunduan në mënyrë të turpshme në det dhe mbi beton.

Pamjet nga ky debakël teknologjik tashmë po shpërndahen masivisht në rrjetet sociale, duke treguar se si pajisjet e shtrenjta bien në ujë dhe në plato para Kapitenerisë së Portit.

Nuk ka të lënduar, por dëmi është i madh

Nga policia e Budvës për mediat malazeze kanë konfirmuar se, fatmirësisht, në incident nuk ka persona të lënduar, edhe pse disa nga dronët kanë rënë edhe në tokë.

Policia ka kryer këqyrje në vendin e ngjarjes, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Prokuroria Themelore e Shtetit në Kotor.

Çfarë shkoi keq?

Ende nuk dihet saktësisht se çfarë e shkaktoi rrëzimin e qindra dronëve. Bëhet fjalë për një shfaqje shumë të kushtueshme, me vlerë dhjetëra mijëra euro.

Shkaqet e incidentit do të përcaktohen nga një ekspert që do të angazhohet nga prokuroria, për të zbuluar nëse bëhet fjalë për një defekt teknik, sulm hakerësh apo ndërhyrje në sinjal.