Demiri për TS: Uji i pijshëm dhe rrugët janë prioritet absolut në fshatrat e Vrapçishtit (VIDEO)





Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Vrapçishtit, Zuli Demiri, ka theksuar se furnizimi me ujë të pijshëm dhe infrastruktura rrugore janë ndër problemet më urgjente që duhet të zgjidhen në territorin e komunës, veçanërisht në zonat malore.

Duke folur në intervistën për TetovaSot, Demiri u ndal te fshatrat Kalishtë, Gjurgjevisht dhe Lomnicë, duke thënë se këto vendbanime për vite me radhë janë përballur me mungesë investimesh dhe kushte elementare për jetë normale.

“Uji i pijshëm është nevoja më bazike e qytetarëve. Duhet të rregullohen rrjetet ekzistuese, të ndalen humbjet dhe të sigurohet furnizim i qëndrueshëm për çdo vendbanim,” deklaroi Demiri, duke shtuar se rrugët nuk duhet të mbeten premtime elektorale, por projekte konkrete që do të realizohen gjatë mandatit të ardhshëm.

Ai theksoi se programi i tij qeverisës bazohet në kërkesat reale të qytetarëve dhe përfshin edhe ngritjen e nivelit të arsimit, depolitizimin e institucioneve dhe punësime mbi bazë meritash.