DASMA E MADHE





Shkruan: Merxhan Jakupi
Rufat Gjini ishte një ndër qehallarët dhe familjet më të pasura në Malësinë e Sharrit. Në kullën e tij vinin pleq, miq dhe bajraktarë për pajtimin e gjaqeve. Rufat Gjini kishte fejuar djalin dhe kishte marrë pikën e çikës nga një katund i Malësisë së Sharrit.
Shkuesi kishte caktuar vadën. Pasi të kryheshin punët e fushës, në vjeshtë do të fillonte dasma e madhe. Në katund flitej se shkuesi kishte marrë para të majme.
I gjithë katundi përgatitej për dasmën e madhe. Në katund kishin filluar të pastronin sokakët, oborret dhe dhomat ku do të vinin të ftuarit nga katundet e Malësisë dhe Rrafshit. Shumica e familjeve të varfra dasmën e Rufat Gjinit e prisnin me padurim. Në dasmë kishin ardhur açi (kuzhinierë) të njohur. Rufat Gjini kishte ndarë tre demë dhe dhjetëra dele.
Te kafja e Lutës dhe sokaku i Lurajve e kishin pyetur disa burra qejfli, pasi kishin pirë raki:
— Të bekoftë Zoti e mos paç të liga, Rufat Aga. A do të ketë raki?
Rufat Aga u kishte thënë se do të ketë raki e verë.
Lumi ishte skuqur nga gjaku i therjes së bagëtive. Përpos nipave që do t’i bënte synet, kishte edhe dhjetëra fëmijë nga familjet e varfra dhe fëmijë jetimë.
Në dasmë ishin ftuar rapsodë të njohur dhe pehlivanë nga provinca dhe Rrafshi. Po ashtu në këtë dasëm do te vlonte çiçeku nga valltaret evgjitë. Do të garonin kuajt më të mirë nga Malësia dhe provincat e tjera.
Një ditë para se të vinin krushqit, kishte ndodhur një natë e kobshme dhe e trishtë. Vajza e fejuar ishte arratisur së bashku me të dashurin e saj. Ishin humbur pa nam e nishan.
Për fisin e katundit kjo ndodhi ishte tragjedi dhe tradhti. Po ashtu edhe për katundin ishte ngjarje shumë e rëndë. Në katund flitej se do të kërciste pushka. Familja e vajzës, së bashku me fisin, ishin të turbulluar. Kishin thirrur edhe një bajraktar dhe disa pleqtë e katundit.

revive-zoneid=”212″ data-revive-ct0=”{clickurl_enc}” data-revive-id=”935b907f801750abfe73f018697a3320″>

Sipas Kanunit, krushqit nuk mund të ktheheshin pa nusen. Ngërçi ishte zgjidhur shpejt. Nga fisi e kishin zgjedhur vajzën më të bukur. Vajzën me shpejtësi ia kishin veshur teshat e nusërisë.
Imami, ndërkohë, i kishte thënë bajraktarit: “Ky ngërç u zgjidh lehtë, por nuk dihet si do të zgjidhet ngërçi i familjes së grabitësit të vajzës”.
Nga fisi i vajzës, një burrë, duke shtrënguar dhëmbët, tha: “Dihet, vetëm pushka do ta shlyejë këtë damkë të zezë që ia la fisit dhe katundit”.
Krushqit e Rufat Gjinit nuk dinin asgjë. Të gjithë burrat e katundit kishin dalë t’i përcillnin krushqit.
Sipas të dhënave, vajza kishte dalë vetë nga shtëpia me një bocë në dorë. Disa thonin se vajzën e kishte grabitur djali. Sipas Kanunit, po qe se i dashuri i vajzës kishte shkelur në lagjen e familjes së vajzës, ndëshkimi do të ishte shumë i ashpër.
Situata kishte filluar të eskalojë. Kishin thirrur për t’i pajtuar këta dy fise njeriun me famë dhe bajraktarin për pajtime gjaqesh, Xhemail Abria. Në kullën e familjes së Ukajve kishte propozuar t’i jepnin familjes së vajzës së grabitur dy vajza, një për dy.
Në dhomën e kullës të gjithë ishin kthyer kah Xhemail Abria. E mori fjalën burri i mençur që kishte pajtuar gjaqe. Sipas ngjarjes, vajza paska dalë nga shpija deri në një lagje tjetër të katundit, ku i dashuri i saj e kishte pritur.
Xhemail Abria tha: “Kur një zjarr (dashuri e flaktë) vjen e të ulet në prehën, në fund çka bën?”
Të gjithë ishin pajtuar me fjalët e mençura të Xhemail Abrias.