Cilat shtete nuk do të marrin pjesë në “Bordin e Paqes” të Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u ka dërguar 50 shtetesh ftesa për tu bashkuar në formimin e një “Bordi Paqeje” si pjesë e Fazës së Dytë të planit të me 20 pika për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza. Por Trump nuk ka marrë vetëm përgjigje pozitive pasi disa shtete e kanë refuzuar.

Italia nuk do të marrë pjesë, raportoi të mërkurën gazeta Corriere della Sera, duke përmendur shqetësimet se bashkimi me një grup të tillë të kryesuar nga udhëheqësi i një vendi të vetëm do të shkelte kushtetutën e Italisë.

Norvegjia gjithashtu e hodhi poshtë propozimin për t’u bashkuar me bordin e paqes, duke pretenduar se organi vepron kundër ligjeve ndërkombëtare. Kështu tha të martën zëvendësministri i Jashtëm norvegjez Andreas Motzfeldt Kravik për të përditshmen Aftenposten.

Nga ana tjetër edhe presidenti francez Emmanuel Macron ka refuzuar ofertën e Trump. Sipas Politico, vendimi u mor për shkak se statuti i bordit shkon përtej kornizës së Gazës dhe ngre pyetje serioze, veçanërisht në lidhje me parimet dhe strukturën e Kombeve të Bashkuara, të cilat nuk mund të vihen në dyshim.

Sipas Euronews, Holanda u bë vendi i radhës evropian që shpërfilli iniciativën “Bordi i Paqes”. Të mërkurën, deputetja holandeze Kati Piri ndau në X një përgjigje me shkrim drejtuar deputetëve të ministrisë së punëve të jashtme të vendit, duke thënë se ishte “shumë herët” që Holanda të merrte pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Davos të enjten.

Greqia nga ana tjetër duket se do ti thotë “jo” propozimit të Trump. Sipas tyre qeveria greke do të veprojë në koordinim me qeveritë e tjera europiane, të cilat shfaqen negative ndaj iniciativës së presidentit amerikan.

Kathimerini raportoi se Greqia thekson se nuk mund të devijojë nga parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, respektimit të integritetit territorial dhe rolit qendror të OKB-së.

Ndërkohë ka edhe shtete të tjera të cilat janë në mëdyshje ose po mendojnë të refuzojnë ftesën por ende nuk e kanë kthyer përgjigjen zyrtarisht. Ndër këto shtete janë Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Rusia, Ukraina dhe Kina.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy vuri në pikëpyetje nëse Ukraina mund të marrë pjesë në “Bordin e Paqes” së bashku me Rusinë dhe Bjellorusinë. Komentet e Zelensky-t erdhën pasi Rusia dhe Bjellorusia njoftuan të martën se edhe ato ishin ftuar të bashkoheshin me organin ndërkombëtar.