BMW-ja e Bilallit revolton tetovarët, Kasami nuk tregon kujt i është, por thotë se nuk e do luksin

BMW-ja e Bilall Kasamit, e cila mori vëmendje në takimin e fundit të liderëve, vazhdon të krijojë huti në opinion, veçanërisht te qytetarët e Tetovës. Në rrjetet sociale ka nisur të përflitet se si është e mundur që një kryetar komune, i cili deklaron se institucioni që drejton ka rreth 20 milionë euro borxh, të shfaqet duke lëvizur me vetura superluksoze që kushtojnë mbi 150 mijë euro.

Pas reagimeve të shumta, Bilall Kasami ka folur për veturën, por pa sqaruar se kujt i përket ajo. Ai ka deklaruar se e kupton ndjeshmërinë e opinionit, sidomos në një kohë kur varfëria është e madhe, por thekson se për të gjërat materiale nuk kanë rëndësi.

“E kuptoj ndjeshmërinë e opinionit për këto çështje, sidomos në një kohë kur qytetarët përballen me vështirësi ekonomike. Për mua, mjetet dhe gjërat materiale nuk janë thelbësore. Thelbësore janë përgjegjësia, puna dhe rezultatet në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Kasami për TV Alsat.

Megjithatë, Kasami nuk ka sqaruar se kujt i përket BMW-ja, as nuk ka kërkuar ndjesë për atë që nga një pjesë e opinionit po konsiderohet si një veprim i papërshtatshëm për funksionin që mban. Kritikat shtohen se ai po përpiqet të paraqitet si i thjeshtë dhe human, ndërkohë që vazhdon të shfaqet në luks.

Ndërkohë, në Tetovë po përflitet gjithnjë e më shumë për lidhjet e mundshme të Kasamit me pronarin e veturës BMW, përfshirë dyshime për përfitime përmes tenderëve komunalë. Për këto pretendime, sipas zërave në opinion, institucionet kompetente duhet të nisin hetime për të sqaruar rastin./TS/