BKS-ja rimbursoi me 20 mijë euro një person që s’ishte aksidentuar fare, si dyshohet se përfitoi Valon Berisha që u arrestua sot
Ish-drejtori i Financave në Byronë Kosovare të Sigurimit, Valon Berisha, dyshohet të ketë përfituar kundërligjshëm para nga qytetarë të cilët ishin rimbursuar në emër të sigurimeve me shuma dhjetëra mijë euro.
Ai është arrestuar sot në një aksion të madh të Prokurorisë së Prizrenit.
Siç raporton Betimi për Drejtësi, bazuar në provat e siguruara, rezulton se në një rast të vitit 2023, BKS kishte rimbursuar për aksident trafiku një person i cili nuk kishte pësuar fare aksident e as nuk kishte paraqitur kërkesë në BKS për rimbursim.
Në këtë rast, BKS-ja i kishte lëshuar qytetarit afër 20 mijë euro, për të cilat ky qytetar ka thënë se këto para i kishte tërhequr në dy pjesë, të cilat përmes një familjari të tij ia kishte dorëzuar Berishës.
I njëjti ka thënë se nuk kishte përfituar asnjë cent për vete.
Përpos Berishës, në aksionin e sotëm u raportua se është arrestuar edhe ish kreu BKS-së, Sami Mazreku. /Reporteri.net/
