Viti 2026 nuk nisi për Bashkësinë Fetare Islame si një faqe e re. Ai nisi si vazhdimësi e një viti të rëndë, të
errët, jo transparent dhe thellësisht komprometues
Nga Mr. Eset Shaqiri, teolog
Skandalet e vitit 2025, të grumbulluara njëra mbi tjetrën, nuk mbetën pas si kapituj të mbyllur, por u bartën
si barrë morale në prag të vitit të ri, duke e rënduar edhe më shumë një institucion tashmë të lodhur në sytë
e shoqërisë. Në qendër të këtij degradimi perceptues qëndron Shaqir Fetai, i ashtuquajturi “reisi” nën
udhëheqjen e të cilit BFI-ja humbi jo vetëm qetësinë, por edhe dinjitetin publik.
Që nga momenti kur u instalua në krye të BFI-së, ky institucion nuk u perceptua më si shtëpi e besimit dhe
autoritetit moral, por gjithnjë e më shumë si model degradimi institucional. Në vend të reformës, u fol për
skandale. Në vend të transparencës, për dyshime, për vjedhje dhe zhvatje. Në vend të shërbimit ndaj
besimtarit, për privilegje dhe abuzime të supozuara që qarkulluan lirshëm në opinionin publik, deri te
prishja skajshmërisht e raporteve me korin diplomatik. Kjo klimë nuk u krijua brenda natës, ajo u ndërtua
gradualisht, përmes heshtjes, mungesës së llogaridhënies dhe arrogancës së pushtetit fetar që e
manifeston Shaqir Fetai. Kundër kujt? Kundër të gjithë atyreve që nuk e durojnë. Dhe nuk po e durojnë jo
vetëm të gjithë myslimanët e vendit por ka ngelur gati i izoluar nga gjithë myslimanët e botës.
Viti 2025 shënoi kulmin e këtij perceptimi shkatërrues. Diskursi publik u mbush me akuza, kritika dhe
raportime për keqmenaxhim, për përplasje të brendshme dhe për një institucion që dukej më i zënë me
vetveten sesa me misionin e tij shpirtëror. BFI-ja u shndërrua, në sytë e shumë qytetarëve, në një “fushë të
hapur” skandalesh, ku përgjegjësia shpërndahej, por faji nuk merrte kurrë emër.
Ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është efekti shoqëror. Nuk është Shaqir Fetai ai që del i turpëruar
çdo ditë në opinion. Është myslimani i zakonshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai që pyetet, ai
që paragjykohet, ai që e ndjen peshën e një institucioni reprezentativ që nuk e përfaqëson më me dinjitet.
Kur BFI-ja bie, nuk bie një individ, por, bie besimi i publikut në institucion.
Reisi që nuk arrin të ndalë degradimin nuk është thjesht udhëheqës i dështuar; ai bëhet pjesë e problemit.
Dhe kur një udhëheqës fetar nuk distancohet qartë nga skandalet, nuk ofron transparencë dhe nuk
ndërmerr përgjegjësi morale, heshtja e tij lexohet si pajtim. Pikërisht këtu qëndron dështimi më i madh i
Shaqir Fetait: jo vetëm te ajo që u tha për BFI-në në vitin 2025, por te ajo që nuk u bë për ta ndalur
rrëshqitjen.
BFI-ja sot nuk vuan nga mungesa e kritikëve, por nga mungesa e udhëheqjes morale. Nga mungesa e
guximit për të thënë “kemi gabuar”. Nga mungesa e vizionit për ta nxjerrë institucionin nga balta ku është
zhytur. Dhe kjo mungesë ka emër.
Në këtë gjendje, hyrja në vitin 2026 nuk është shpresë, por paralajmërim. Ose BFI-ja do të përballet
seriozisht me pasojat e vitit 2025 dhe me përgjegjësinë e udhëheqjes së saj, ose do të vazhdojë të
rrëshqasë drejt një humnerë ku autoriteti fetar mbetet vetëm dekor, ndërsa besimi i besimtarëve kthehet në
zhgënjim të heshtur.
Sepse feja mund të mbijetojë edhe pa institucione perfekte. Por institucionet fetare nuk mbijetojnë kur
humbin turpin.