Berisha flet para SPAK: Operacioni ndaj call center-it në Tiranë u dekonspirua

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit paraditen e kësaj të hëne në SPAK, në kuadër të masës “detyrim paraqitje” për dosjen “Partizani”.

Pas daljes nga aty, ai foli për gazetarët, ku u ndal te operacioni i SPAK te një call center në Tiranë, për të cilin tha se ishte dekonspiruar.

Berisha deklaroi se në këtë qendër të goditur nga SPAK, sipas tij, qytetarëve evropianë u vidheshin rreth 30 milionë euro në muaj.

“Çfarë pashë aty unë, call center. Kishin hapur call center forex, komandohej nga Altin Troplini. Dështuan operacionin dyvjeçar. Nuk e dështuan plotësisht, sepse nuk arritën, por dekonspiruan operacionin dyvjeçar të një grupi gazetarësh, më të shquarit në Evropë në llojin e tyre. Ky treg është një nga tregjet më kriminale në Ballkan, në Evropë dhe në botë. Janë 200 sipërmarrje, të cilat ditë e natë vjedhin qytetarët e huaj me mashtrim. Mashtrojnë qytetarët. Call center-i, i cili u kontrollua, sipas hetimit që kanë bërë me agjentët e vet, vidhte në muaj të paktën 30 milionë euro me mashtrim”, tha Berisha.

Sipas tij, kjo veprimtari nuk goditet nga policia, pasi zyrtarët e policisë paguhen për të mbyllur sytë ndaj këtyre qendrave.

“Kjo veprimtari kriminale është absolutisht e gjitha nën mbikëqyrjen e narkopolicisë, njësoj si dikur për çdo rrënjë kanabisi paguhej tarifa prej 300 eurosh, kur ato ishin të shëndetshme dhe jepnin një mijë euro fitim. Çdo qendër, për çdo kompjuter, paguan tarifë zyrtarëve të policisë, të cilët mbyllin sytë ndaj këtyre vjedhjeve që ushtrohen në këto qendra”, tha ai.

Berisha u ndal edhe një herë te skema e këtyre call center-ave dhe më pas tha se në Shqipëri dekonspirohet çdo gjë.

“Viktimave u thuhet: ‘Sill shumën se do marrësh kaq, ke humbur në bursë, do ta gjejmë ne kaq’, e të tjera me radhë. Ju e patë kati i trembëdhjetë, ku agjentët e Le Iene kanë punuar dy vite aty dhe u kanë dhënë çdo informacion ekipit që hetonte. Kanë foto dhe dokumente ata. Kur shkuan, e gjetën dhomën të boshatisur, sepse i kishin hequr të gjithë kompjuterët, çka vërteton edhe një herë deklaratën e prokurorit të antimafias së Napolit, i cili thotë se Shqipëria është më keq se narkoshtet, sepse të dekonspirojnë çdo gjë. Është e pamundur të përfundosh një hetim”, tha ai.