“Drejtësia nuk është thjesht një pushtet, është garancia që i jep kuptim shtetit në jetën e qytetarit”.
Me këtë mesazh e nisi Presidenti Bajram Begaj, fjalën drejtuar përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë në ceremoninë e hapjes së vitit gjyqësor.
Kreu i Shtetit përforcoi qëndrimin e tij në mbështetje të institucioneve te reja të dala nga reforma në drejtësi, e cila nisi 10 vite më parë.
“Dhjetë vjet më pas, rezultatet janë të dukshme. Shumica e qytetarëve besojnë se epoka e pandëshkueshmërisë ka filluar të marrë fund. Raportet ndërkombëtare, mediat dhe publiku, me të drejtë, i kushtojnë vëmendje aktivitetit dhe sukseseve të SPAK-ut dhe GJKKO-së, por në sistemin tonë të drejtësisë kemi edhe struktura të tjera, gjyqtarë e prokurorë, të cilët, po me kaq përkushtim, profesionalizëm, dinjitet dhe përgjegjësi kanë arritur të japin drejtësi”, deklaroi Begaj, i cili duke nënvizuar kulturën e re juridike dhe demokratike të përftuar si rrjedhojë e kësaj reforme, theksoi nevojën e respektimit të vendimeve gjyqësore nga të gjithë.
“Drejtësia funksionon kur respektohet, jo vetëm kur deklarohet”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti Begaj bëri thirrje për një drejtësi të pavarur, funksionale dhe me integritet, që garanton barazinë para ligjit dhe e çon përpara procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Vetëm duke dhënë drejtësi, duke fituar besim te qytetarët, duke garantuar shtetin e së drejtës, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe forcuar institucionet do të kemi progres të qëndrueshëm edhe në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo është zgjidhja e vetme që kemi dhe sfida më e rëndësishme për institucionet që ndodhen sot në këtë sallë, si dhe të gjithë ata që flasin, veprojnë dhe vendosin në emër të Kushtetutës dhe ligjit”, tha Begaj.
Presidenti Begaj deklaroi, gjithashtu, se ky vit gjyqësor duhet të sjellë një drejtësi funksionale e të qëndrueshme.
“Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë rol thelbësor për të krijuar norma, praktika unifikuese dhe garantim të sigurisë juridike. Strukturat e qeverisjes së sistemit: Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Shkolla e Magjistraturës mbeten thelbësore në funksionalitetin e sistemit të drejtësisë për vetëmenaxhim, transparencë dhe llogaridhënie”, deklaroi Kreu i Shtetit, i cili nënvizoi rëndësinë e bashkërendimit dhe bashkëpunim ndërinstitucional për adresimin e problematikave dhe suksesin e reformës në drejtësi.
Ndërsa u ndal të pavarësia e gjyqësorit, të cilin e vlerësoi si boshtin themelor të reformës në drejtësi, Presidenti theksoi se gjyqtarët duhet të japin vendime pa presione apo ndërhyrje, duke garantuar një drejtësi efektive, të paanshme dhe në përputhje me standardet evropiane.
Njëherazi, Begaj theksoi rëndësinë e llogaridhënies në ushtrimin e kësaj pavarësisë.
“Sot, gjyqësori është juaji. Sistemi i drejtësisë ka fituar autonomi të plotë. Kjo pavarësi është arritje madhore, por pavarësia shkon domosdoshmërisht krah për krah me përgjegjësinë. Edhe funksionimi, integriteti dhe besueshmëria e sistemit të drejtësisë janë, në radhë të parë, përgjegjësia juaj. Pavarësia e sistemit të drejtësisë është gur themeli i patjetërsueshëm i rendit tonë kushtetues dhe funksionimit të shtetit të së drejtës”, tha Begaj.
Krahas respektimit të pavarësisë, Presidenti Begaj, gjatë fjalës së tij, përmendi sfidat më të cilat përballen institucionet e drejtësisë.
Duke u shprehur se i mirëkupton ato, Kreu i Shtetit solli në vëmendje rëndësinë e besimit publik të drejtësia.
Ai theksoi se eficienca e sistemit, rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, shmangia e arbitraritetit, forcimi i standardeve dhe suksesi i mekanizmave të vetëkontrollit përbëjnë elemente thelbësore që garantojnë besueshmërinë e qytetarëve të drejtësia.
Duke renditur problematikat e zvarritjeve të çështjeve dhe perceptimin te qytetarët e një impakti negativ për jetën, të drejtat, pronën, Presidenti i Republikës inkurajoi gjyqtarët t’u japin fund këtyre praktikave. “Në institucionet e së drejtës nuk ka vend për tranzicion”, u shpreh Begaj.
E drejta nuk negociohet, tha Begaj, duke shtuar se “dhënia e drejtësisë është sa përgjegjësi dhe profesionalizëm, aq edhe akt i lartë shtetarie”.
Në fund të fjalës së tij, Kreu i Shtetit garantoi mbështetje për institucionet e drejtësisë dhe avokati ndaj qytetarëve që presin drejtësi funksionale, të ndershme e të barabartë për të gjithë.
“Si President i Republikës do të vijoj të mbështes fuqimisht forcimin e pavarësisë dhe funksionalitetit të sistemit të drejtësisë, të mbështes çdo nismë që shkon në drejtim të forcimit të institucioneve të drejtësisë dhe ruajtjes së integritetit të tyre, por gjithmonë do të mbetem edhe një zë ne mbrojtje të qartë të interesit të qytetarëve që presin drejtësi funksionale, të ndershme dhe të barabartë për të gjithë”, theksoi Begaj.