BDI reagon ashpër: Rit fetar mbi automjete zyrtare policore është shkelje e shtetit sekular

Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur shqetësim të thellë dhe ka reaguar fuqishëm ndaj fotografive të publikuara nga ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku shihet kryerja e një riti fetar të një konfesioni mbi automjete zyrtare policore.

Sipas BDI-së, një veprim i tillë nuk mund të justifikohet si “traditë”, por përbën shkelje të hapur të parimit kushtetues të shtetit sekular. Ata theksojnë se riti nuk është kryer në hapësirë private apo objekt fetar, por në oborrin e policisë, mbi mjete zyrtare të shtetit dhe brenda një institucioni të sigurisë publike.

“Policia e Republikës së Maqedonisë së Veriut është institucion shtetëror që duhet t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim etnie dhe besimi. Ajo nuk i përket asnjë feje dhe nuk guxon të krijojë perceptimin e ekzistimit të një feje ‘zyrtare’ brenda institucioneve shtetërore”, thuhet në reagim.

BDI vlerëson se përdorimi i hapësirave dhe mjeteve shtetërore për rituale të vetëm një konfesioni dërgon mesazh përjashtues dhe të rrezikshëm për qytetarët e besimeve të tjera, duke cenuar barazinë etnike dhe konfesionale. Sipas tyre, kjo përbën institucionalizim të fesë dhe shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës.

Partia rikujton se automjetet policore janë blerë me paratë e të gjithë taksapaguesve dhe do të përdoren nga pjesëtarë të policisë me besime të ndryshme, ndaj askush nuk ka të drejtë t’i “shënojë” institucionet publike me simbolikë të një feje të vetme.

“Shteti ruhet nga ligji dhe Kushtetuta, jo nga uji i bekuar i priftit”, thekson BDI.

Në këtë drejtim, BDI kërkon:

Sqarim të menjëhershëm publik se kush e ka autorizuar këtë veprim, mbi çfarë baze ligjore dhe me çfarë qëllimi;

Përgjegjësi institucionale për çdo zyrtar që ka lejuar ose nuk ka parandaluar përdorimin e hapësirave dhe mjeteve shtetërore për rituale fetare.

BDI ka drejtuar edhe një mesazh kritik ndaj koalicionit VLEN/VREDI, duke kërkuar që reagimet të mos mbesin vetëm në rrjete sociale, por të shndërrohen në veprime konkrete institucionale për parandalimin e praktikave diskriminuese.

Duke theksuar se respekton lirinë e besimit dhe shprehjes fetare të çdo individi, BDI nënvizon se kjo liri nuk nënkupton uzurpim të institucioneve shtetërore. “Policia duhet të jetë e të gjithëve, jo e një etnie dhe jo e një feje”, thuhet në fund të reagimit, duke paralajmëruar se rasti do të ndiqet deri në fund dhe do të kërkohen masa konkrete që situata të tilla të mos përsëriten.

Reagimi i plote:

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë dhe reagon fuqishëm ndaj fotografive të publikuara nga ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku shihet kryerja e një riti fetar të një konfesioni mbi automjete zyrtare policore.

Kjo nuk është “traditë”.
Kjo është shkelje e hapur e parimit të shtetit sekular.

Riti nuk është kryer në hapësirë private apo objekt fetar, por në oborrin e policisë, mbi mjete zyrtare të shtetit, brenda një institucioni të sigurisë publike. Një veprim i tillë është plotësisht i papranueshëm në një shtet që me Kushtetutë është sekular dhe me realitet multietnik e multikonfesional.

Policia e Republikës së Maqedonisë së Veriut është institucion shtetëror që duhet t’u shërbejë të gjithë qytetarëve njësoj, pa dallim etnie dhe besimi. Ajo nuk i përket asnjë feje dhe nuk guxon të krijojë perceptimin se ekziston fe dominante apo “fe zyrtare” brenda institucioneve të shtetit.

Kur hapësirat dhe mjetet shtetërore përdoren për rituale të vetëm një konfesioni, mesazhi për të tjerët është përjashtues dhe i rrezikshëm: se institucionet publike identifikohen me një religjion, duke nënvlerësuar dhe përjashtuar të tjerët. Kjo nuk është simbolikë e pafajshme, kjo është institucionalizim i fesë dhe shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës.

Është veçanërisht ofenduese që këto automjete janë blerë me paratë e të gjithë taksapaguesve dhe do të përdoren nga pjesëtarë të policisë të besimeve të ndryshme. Askush nuk ka të drejtë t’i “shënojë” institucionet publike me simbolikë të një besimi të vetëm.

Shteti ruhet nga ligji dhe Kushtetuta, jo nga uji i bekuar i priftit.

Pikërisht për këtë arsye, shteti sekular nuk funksionon me “tradita”, por me barazi dhe neutralitet institucional.

BDI kërkon:
1. Sqarim të menjëhershëm publik se kush e ka autorizuar këtë veprim, mbi çfarë baze ligjore dhe me çfarë qëllimi;
2. Përgjegjësi institucionale për çdo zyrtar që ka lejuar ose nuk ka parandaluar përdorimin e hapësirave dhe mjeteve shtetërore për rituale fetare.

Një mesazh i qartë edhe për VLEN/VREDI: në vend të zhurmës me statuse në rrjete sociale dhe deklarata për media, le ta dëshmojnë kapacitetin aty ku duhet, në institucione, me veprime konkrete dhe parandalim të praktikave diskriminuese. Kur barazia etnike dhe konfesionale shkelet në institucionet shtetërore dhe reagimi mbetet vetëm virtual, kjo është dëshmi e moskapacitetit real dhe e pranimit të heshtur të kësaj gjendjeje.

BDI respekton lirinë e besimit dhe shprehjes fetare të çdo individi, por liria e besimit nuk nënkupton uzurpim të institucioneve shtetërore.

Policia duhet të jetë e të gjithëve,jo e një etnie, jo e një feje, duke shkelur Kushtetutën.

BDI do ta ndjekë këtë rast deri në fund dhe do të kërkojë transparencë të plotë dhe masa konkrete, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më.