Arta Bilalli Zendeli: Po dëmtohen të drejtat kolektive të shqiptarëve, justifikimi për mungesë kuadrosh nuk qëndron

Zëdhënësja dhe nënkryetarja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, lidhur me emërimin e kryeshefit të qendrës rajonale në Ohër, që mbulon edhe Strugën, Kërçovën dhe Dibrën.

Në emisionin debativ ZOOM, Bilalli Zendeli theksoi se me veprime të tilla po dëmtohen drejtpërdrejt të drejtat kolektive të shqiptarëve, duke nënvizuar se mungesa e përfaqësimit nuk është çështje kuadrosh, por vullneti politik.

“Po dëmtohen edhe të drejtat kolektive të shqiptarëve, sepse nuk ka kush i mbron. Po e shohim çdo ditë se nuk ka kush i mbron. Rasti i djeshëm në Dibër dhe një paraqitje që e kishte një eksponent i VLEN-it se nuk kanë pasur kuadër, mua në vetëdije ma dërgon Ligjin për Përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, deklaroi Bilalli Zendeli në ZOOM.

Ajo shprehu bindjen se edhe nëse miratohet Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, qasja aktuale e pushtetit do të vazhdojë të jetë e njëjtë.

“Jam e bindur se ashtu siç u munduan mbrëmë në një studio televizive të mbrojnë dhe të arsyetojnë se nuk ka pasur kuadër adekuat, ashtu do të vazhdojë edhe nëse miratohet ligji, sepse kjo nuk është e vërtetë dhe nuk mban aspak. Për pozita udhëheqëse në Dibër dhe Strugë, ne kemi kuadro të duhura shqiptare”, theksoi ajo.

Reagimi i Bilalli Zendelit vjen pasi zv/ministri i Brendshëm, Astrit Iseni, deklaroi se para tetë muajsh nuk ka pasur mundësi të gjendet një kandidat shqiptar adekuat për pozitën e kryeshefit rajonal, duke shtuar se kjo është “kompensuar” me marrjen e pozicioneve të tjera.

Sipas BDI-së, ky arsyetim përbën relativizim të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe dëshmon, siç u tha në emisionin ZOOM, se shqiptarët po humbasin pozita kyçe në institucionet shtetërore.