Më shumë se 1.000 persona janë arrestuar në Iran që nga nisja e protestave të fundit. Ndërsa autoritetet gjyqësore paralajmërojnë “zero tolerancë” ndaj protestueve. Vendi është prëfshirë nga një tjetër valë protestash para ndërrimit të viteve, si pasojë e krizës ekonomike që po përfshin Iranin pas zhvlerësimit të moedhës vendase
Mbi 1.000 persona janë arrestuar në Iran që nga fillimi i protestave të fundit atje raporton Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut
Por analistë dhe gazetarë që ndjekin zhvillimet theksojnë se numri real mund të jetë më i lartë se ai i raportuar zyrtarisht.
Gazetari Diako Alavi, me qendër në Paris, vlerëson se gjatë periudhave kulmore të protestave është “jashtëzakonisht e vështirë” të konfirmohen të dhënat për të ndaluarit, ndërsa hedh dyshime mbi transparencën e akuzave të ngritura ndaj tyre.
Raportime nga terreni tregojnë se arrestimet janë kryer si gjatë protestave në rrugë, ashtu edhe përmes ndalimeve të rastësishme nga forcat e sigurisë.
Mes të arrestuarve ka edhe aktivistë studentorë, disa prej të cilëve mbeten në paraburgim në vende të paidentifikuara.
Janë regjistruar gjithashtu raste të ndalimit të të miturve, përfshirë një 15-vjeçar në qytetin Yasuj, i cili më pas është liruar. Në Teheran, burime lokale raportojnë se dhjetëra persona ndalohen çdo ditë.
Kreu i gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për mbështetje të hapur ndaj protestave dhe u ka kërkuar prokurorëve në të gjithë vendin të tregojnë “zero tolerancë” ndaj të ndaluarve.
Protestat në Iran kanë nisur si pasojë e krizës së thelluar ekonomike, e cila u përshkallëzua para ndërrimit të viteve, pas zhvlerësimit të ndjeshëm të monedhës vendase. Dobësimi i fuqisë blerëse, rritja e çmimeve dhe pasiguria financiare kanë nxitur pakënaqësi të gjerë sociale, duke çuar në shpërthimin e demonstratave në disa qytete të vendit.
