Ambasada Britanike në Teheran është mbyllur përkohësisht dhe do të vazhdojë të funksionojë në mënyrë remote, ka njoftuar një zëdhënës i qeverisë britanike.
Sipas tij, këshillat e udhëtimit të Ministrisë së Jashtme britanike janë përditësuar për të reflektuar ndryshimet në shërbimet konsullore.
Vendimi vjen në një periudhë tensioni të shtuar në Lindjen e Mesme. Më herët, Britania e Madhe ka tërhequr personelin ushtarak nga një bazë amerikane në Katar, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë nisur gjithashtu të tërheqin një pjesë të stafit nga baza ajrore Al Udeid, baza më e madhe amerikane në rajon.
Ndërkohë, Italia dhe Polonia u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen menjëherë nga Irani, për shkak të pasigurisë që lidhet me një ndërhyrje të mundshme ushtarake amerikane.
Irani ka paralajmëruar se në rast të një sulmi, do të hakmerret ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon.