Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi sonte në Gostivar se kandidati Valbon Limani përfaqëson vazhdimësinë e projekteve zhvillimore dhe perspektivën për gjeneratat e reja, duke theksuar se me këtë ekip, Gostivari nuk mund të ndalet, njofton TS.
Duke folur në tubimin përmbyllës të Aleancës Kombëtare për Integrim, Ahmeti u shpreh se qytetarët e Gostivarit, Malësisë dhe vendbanimeve përreth janë të vendosur për të mbështetur rrugën e progresit dhe jo regresin.
“Gostivari ecën përpara me projekte, me Valbonin dhe ekipin e tij, me Valdetin dhe ekipin e tij, dhe nuk ka forcë që mund t’i pengojë në realizimin e programit të paraqitur para qytetarëve”, theksoi Ahmeti.
Ai shtoi se fushata kundër Valbon Limanit dhe Valdet Xhaferit është e pajustifikueshme dhe se, sipas tij, nuk mund të luftohet e ardhmja me mjete politike që pengojnë zhvillimin e gjeneratave të reja.
Në fund të fjalimit, Ahmeti u shpreh krenar për mbështetjen ndaj Valbon Limanit dhe bëri thirrje që më 11 janar qytetarët të votojnë për numrin 3, duke e cilësuar këtë zgjedhje si votë për stabilitet, zhvillim dhe vazhdimësi politike në Gostivar./TS
