Ali Ahmeti: Me Mickoskin para një viti u dakorduam për zgjedhje të parakohshme, por ndryshoi qëndrim
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në Click Plus në TV21, deklaroi se rreth një vit më parë kishte pasur një takim me kryeministrin Hristijan Mickoski, në të cilin ishte rënë dakord që paralelisht me zgjedhjet lokale, të mbaheshin edhe zgjedhje parlamentare. Megjithatë, sipas Ahmetit, Mickoski më pas ka ndryshuar qëndrimin. Ai theksoi se kjo marrëveshje ishte arritur në takimin e parë, ndërsa në takimin e dytë, siç u shpreh, nga ana e VMRO-DPMNE-së ishin prezantuar dy opsione të tjera, të cilat ai nuk i kishte pranuar.
Sipas Ahmetit, këto takime janë zhvilluar para se qeveria aktuale të mbushte 100 ditë në pushtet.
TV21: Kur thatë se do të takoheshit kokë më kokë me Mickoskin, kjo u interpretua si një përpjekje për t’u harmonizuar rreth zgjedhjeve të parakohshme. A është e saktë kjo?
Ahmeti: Jo, nuk është kështu. Për zgjedhje parlamentare kam biseduar me Hristijan Mickoskin shumë më herët, më shumë se një vit më parë, ndoshta edhe më herët.
TV21: Ndoshta Mickoski tashmë ka ndryshuar qëndrim?
Ahmeti: Jo. Atëherë u dakorduam që, paralelisht me zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, të mbaheshin edhe zgjedhje parlamentare.
TV21: Dhe ai nuk e mbajti fjalën?
Ahmeti: Me siguri në VMRO-DPMNE kanë bërë analizat e tyre dhe, në takimin e dytë, prezantuan dy opsione të reja me të cilat unë nuk u pajtova. Kështu mbeti situata, ashtu siç është edhe sot.
TV21: Pra, këto bisedime kanë qenë shumë më herët. Ndoshta tani Mickoski ka ndryshuar qëndrim?
Ahmeti: Këto bisedime janë zhvilluar në kohën kur Qeveria ende nuk kishte mbushur 100 ditë në pushtet.