Ali Ahmeti: Mbështes lidershipin Trump-in dhe angazhimin e SHBA-së kundër regjimeve autoritare dhe krimit të organizuar
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka riafirmuar mbështetjen e palëkundur ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar aleancën me SHBA-në si një zgjedhje të qartë, të drejtë dhe strategjike.
Në një deklaratë publike, Ahmeti thekson se lidershipi i Presidentit Donald Trump dhe angazhimi amerikan kundër regjimeve autoritare, narkoliderëve dhe strukturave kriminale përbëjnë një mbrojtje të drejtpërdrejtë të lirisë, demokracisë dhe sigurisë globale.
“Qëndrimi i fortë ndaj krimit të organizuar nuk është mbrojtje vetëm për Amerikën, por për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar”, thekson Ahmeti, duke nënvizuar se popujt meritojnë të jetojnë të lirë, me institucione demokratike dhe sundim të ligjit, larg frikës dhe represionit.
Ai rikujton se historia e vendeve që kanë kaluar rrugën e vështirë drejt lirisë dëshmon rolin vendimtar të SHBA-së, duke shtuar se kur Amerika udhëheq me vendosmëri, liria fiton.
Sipas Ahmetit, partneriteti transatlantik mbetet më i fortë kur bazohet në vlera të përbashkëta dhe një qëndrim të bashkuar kundër tiranisë. “Kur Amerika qëndron e fortë, qëndrojmë të fortë së bashku”, përfundon deklarata e tij.
