Në një aksident të tmerrshëm trafiku pranë Timișoarës, të paktën shtatë tifozë të PAOK-ut, që udhëtonin me një minibus për të ndjekur ndeshjen e klubit të tyre të preferuar, kanë humbur jetën. Sipas mediave rumune, janë plagosur tre persona, të cilët mendohet se janë të gjithë shtetas grekë dhe tifozë të ekipit nga Selaniku.
Ata udhëtonin drejt Francës, ku klubi i tyre do të luante një ndeshje të raundit të tetë të Ligës së Evropës kundër Lyon-it të enjten.
Në një moment, automjeti që i transportonte ka kaluar në korsinë e kundërt dhe është përplasur direkt me një kamion. Në rrjetet sociale është shpërndarë edhe një video që tregon momentin kur minibus me tifozë të PAOK-ut kalon në korsinë e kundërt dhe përplaset me kamionin.
Sipas mediave greke, tifozët nga Selaniku kishin zgjedhur rrugën përmes Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë, sepse këto vende janë pjesë e Bashkimit Evropian, gjë që e bën udhëtimin më të lehtë dhe pa vonesa në kufi. Një rrugë më e shkurtër nga Selaniku në Francë mund të ishte përmes Maqedonisë së Veriut, Serbisë ose Bosnjë e Hercegovinës, por në këtë rast minibusi me dhjetë udhëtarë do të duhej të kalonte kontroll pasaportes dhe më pas të hynte sërish në Bashkimin Evropian.