Ahmeti nga Kumanova: “Flaka e Janarit” mbetet betim për unitet dhe besnikëri ndaj amanetit të dëshmorëve

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, së bashku me familjarë të dëshmorëve, veprimtarë të çështjes kombëtare, përfaqësues institucionalë, ish-të burgosur politikë dhe mysafirë nga të gjitha trevat shqiptare, mori pjesë në manifestimin tradicional “Flaka e Janarit”, i mbajtur në Karadakun e Kumanovës, në nderim të dëshmorëve të kombit shqiptar të rënë në janarët e historisë sonë.

Manifestimi solemn u organizua për të kujtuar dhe nderuar veprimtarinë dhe sakrificën e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Rexhep Malajt, Nuhi Berishës, si dhe të gjithë dëshmorëve që me jetën dhe gjakun e tyre ndërtuan themelet e lirisë kombëtare shqiptare.

Në fjalën e tij, Ahmeti theksoi se figura e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës dhe bashkëveprimtarëve të tyre përfaqëson kulmin e veprimtarisë ilegale dhe atdhetare shqiptare, e cila u shndërrua në një lëvizje të gjerë mbarëkombëtare dhe hapi rrugën drejt themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimit të popullit shqiptar. Sipas tij, ata unifikuan qëndresën, forcuan ndërgjegjen kombëtare dhe e shndërruan fjalën në betim e sakrificën në rrugë lirie.

Gjatë akademisë përkujtimore, përmes fjalëve përshëndetëse, referateve historike, poezisë, këngës dhe valleve tradicionale, u rikthye fuqishëm kujtesa kolektive dhe u përforcua amaneti i dëshmorëve për ruajtjen e unitetit, mbrojtjen e lirisë dhe përgjegjësinë ndaj së ardhmes së kombit.

Ahmeti vlerësoi se flaka e ndezur në Karadakun e Kumanovës nuk është vetëm simbol përkujtimi, por një betim i gjallë se sakrifica e dëshmorëve nuk do të harrohet kurrë dhe se rruga e tyre do të vazhdojë të udhëheqë shqiptarët edhe në kohë sfidash të reja. Ai theksoi se përvjetorë të tillë rikujtojnë se rreziqet ndaj shqiptarëve nuk kanë pushuar, por se forca e tyre qëndron në bashkim, kujtesë dhe vendosmëri për të mbrojtur arritjet e fituara me gjak.

“Flaka e Janarit mbetet një thirrje e përhershme për ndërgjegje kombëtare, unitet dhe besnikëri ndaj amanetit të atyre që ranë, që ne sot të jetojmë të lirë”, përfundoi Ahmeti.Ahmeti nga Kumanova: “Flaka e Janarit” mbetet betim për unitet dhe besnikëri ndaj amanetit të dëshmorëve